Gënjehen qytetarët e Tetovës lidhur me ujin

13.08.2016 18:53:49

Që prej një muaji, një ndër tubat kryesorë në Kodrën e Diellit që furnizojnë me ujë të pijshëm qytetin e Tetovës, por edhe rezervuari grumbullues i ujit, vazhdojnë të jenë të zbuluar që nga nisja e gërmimeve të ELEM-it për vendosjen e shtyllave të teleferikut të ri. Që skandali të jetë më i madh, as nga Ndërmarrja Publike Komunale e cila e ka për obligim ligjor, dhe as nga kompania ELEM, nuk e kanë rrethuar këtë pjesë të zbuluar, për ta mbrojtur ujin të paktën nga ndotja. Jo vetëm njerëzit kalojnë kryq e tërthorë, por edhe kafshët pinë ujë, lënë bajgat etj. Nga Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” e shmangin përgjegjësinë duke bërë fajtor punëtorët e pakujdesshëm të ELEM-it.

“Ekipi inspektues i Ministrisë së Ekologjisë që është obligues, ka dalë dhe iu ka dhënë urdhër ndërmarrjeve dhe ELEM-it që ajo zonë të rrethohet dhe të bllokohet, në mënyrë që të mos i afrohet as faktori njeri dhe as kafshët”, deklaroi Hysamedin Abedini, Kryeshef i sektorit të Ujësjellësit.
Një skandal i tillë daton që prej një muaji, konkretisht nga 14 korriku. Sikur kjo të mos mjaftonte, një javë më vonë, më 22 korrik, një tjetër tub i dytë u thye, duke e shtuar ndotjen e ujit. Pavarësisht reagimit të banorëve, ndërmarrja publike komunale, në vend që ta denonconte dhe të merrte masa për rastin, e fshehu skandalin, duke thënë në njoftimin e saj se uji është i pastër dhe mund të pihet!

“Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” informon qytetarët se në bazë të të dhënave nga Qendra për Shëndet Publik e Tetovës, uji i qytetit është i pastër për pije”.

Por, përkundër njoftimit të tillë me shkrim, shefi i repartit të Ujësjellësit në Tetovë, në deklaratën e tij për Alsat-M, përgënjeshtron Ndërmarrjen Komunale, nën të cilën funksionon edhe vetë ai!

“Informatat që na kanë dhënë nga Instituti i cili merret me kontrollin e ujit të pijshëm, normal ndotjet kanë rezultuar se e kanë tejkaluar normën e asaj që quhet ujë i pijshëm”, u shpreh Hysamedin Abedini, Kryeshef i sektorit të Ujësjellësit.

Por, ndotja e ujit të pijshëm dhe mos rrethimi i vendit ku punohet, nuk është problem i vetëm që shfaqet në këtë vend.

“Imagjinoni sa i kushton kjo komunës së Tetovës e cila për vite me radhë po investon miliona euro në sistemin e ri të ujësjellësit, për të siguruar për qytetin e Tetovës disa litra ujë më tepër në sekondë për të plotësuar nevojat e qytetarëve. Ndërsa këtu, më shumë se një muaj, sipas ekspertëve, po humbim mbi 30 litra ujë në sekondë”.
Çuditërisht, problemi vazhdon ende edhe sot e kësaj dite. Pavarësisht humbjes së ujit, institucionet jo vetëm që heshtin, por qartazi shkelin mbi besimin e qytetarëve, dhe me ndërgjegje të plotë kontribuojnë në shkaktimin e sëmundjeve. Në njoftimin zyrtar, vazhdon sërish të qëndrojë se uji në Kodrën e Diellit dhe Tetovë është i pijshëm, edhe pse kohë më parë u dha alarmi për bakterin esheriakoli!