Gënjeu duke kërkuar ndihmë për një “fëmijë të sëmurë”, arrestohet i dyshuari

07.12.2016 16:36:26

Policia e Kosovës, sot ka arrestuar një të dyshuar për mashtrim ku në këtë rast viktima të mashtrimit kanë qenë qytetarët e ndryshëm të Kosovës.

Personi i arrestuar në këtë rast është: Y. Sh.(1987).

Personi i dyshuar, tashmë i arrestuar, dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim të mashtrimit të qytetarëve dhe përfitimit material, ka postuar dhe ka shpërndarë nëpër media e rrjete sociale, apo gazeta ditore, kërkesën për ndihmë financiare nga qytetarët, për shërim jashtë vendit të një fëmije joekzistent, kinse për shkak të sëmundjes së tumorit në tru, i cili kushton në vlerë prej 200 mijë euro.

Lidhur me këtë i dyshuari ka hapur xhirollogari bankare në një bankë dhe ka pranuar një numër të konsiderueshëm të mjeteve nga qytetarë të ndryshëm, të cilat mjete i dyshuari i ka tërhequr menjëherë.

I dyshuari, gjatë intervistës në prani të avokatit mbrojtës e ka pranuar se e ka kryer veprën penale ‘mashtrim’.

Në konsultim me prokurorin kujdestar të PTH – Prishtinë, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor.