“Giornale”: Mafia shqiptare, kineze dhe rumune, më të rrezikshmet

31.07.2016 15:13:53

Gazeta italiane “Giornale.it” ka shkruar rreth mafieve më të rrezikshme që veprojnë për momentin në Itali dhe përshkruan aktivitetin e tyre kriminal.

“Shqiptarë, kinezë, rumunë. Madje edhe libianë e gjeorgjianë. Në Itali operojnë dhjetëra grupe kriminale të përbërë nga të huaj”, shkruan “Giornale.it” ndërkohë që jep një përshkrim të shkurtër për secilën organizatë kriminale.

Kjo gazetë shkruan për mafien shqiptare, se aktivitetin më të lartë e ushtron në Evropën Lindore dhe menaxhon fitimet nga shfrytëzimi i prostitucionit dhe nga transportimi i drogës. Në artikull, thuhet se edhe mafia rumune ka filluar të “kopjojë” mafien shqiptare.

Krimi rumun është përqendruar kryesisht te prostitucioni, vjedhja e makinave dhe falsifikimi i kartave të kreditit. Ndërkaq, gazeta thekson se mafia kineze po shënon gjithnjë e më shumë rritje.

Triadat, ose siç quhen ndryshe grupet e pushtetit në Azi, kanë arritur të bëhen sipërmarrës dhe të menaxhojnë trafikun e falsifikimit, mbi të gjitha atë të veshjeve. Sipas “Giornale.it”, tanimë mafia kineze ka nisur edhe trafikun e barnave të rreme dhe kimikateve të falsifikuara, që janë të rrezikshme për shëndetin e konsumatorëve.