GJaku nuk bëhet ujë/ poezi nga Dije Lohaj

24.10.2019 14:51:43

GJAKU NUK BËHET UJË

Sot, dielli ngroh me dhëmbë të mprehtë tetori,
Muza sillet dheut, vargjeve zë vend e menduar,
Acari mërdhin zemrën dhe shpirtin e shkretuar,
Nga ky kërcu i tharë trishtueshëm flakëron zjarri,

Tetorit zgjohen netëve të zymta e mblidhen tok,
Heronjtë në rrugën e dëshmorëve prej mermeri,
I matin ligësitë e atyre që i ka mbërthyer deliri:
O njeri hipokrit! Gjaku nuk bëhet ujë, sot e mot!

I shkelët, i përçmuat amanetet e tyre t’përshpirtshme,
E pleksët gjithë qenien kaltërimit të dheut lirisë.
Deri n’perëndim do t’ju përpinë zjarrmia e lakmisë.

T’prangosur po rrini n’kafazin e delirit të madhështisë .
Përjetësitë me hipokrizi e mashtrime nuk preken dot
Kuptone! Gjaku, kurrë nuk bëhet ujë, sot e mot!