Gjaku nuk bëhet ujë / vargje nga Dije Lohaj

13.01.2020 14:02:03

 

Sot, dielli ngroh me dhëmbë të mprehtë janari,
Muza sillet dheut, n’vargje zë vend e menduar,
Acari mërdhin zemrën dhe shpirtin e shkretuar,
Nga kërceu i tharë trishtueshëm flakëron zjarri.

Janarit zgjohen netëve t’zymta e mblidhen tok,
Heronjtë n’rrugën e dëshmorëve prej mermeri,
I matin ligësitë e atyre që i ka mbërthyer deliri:
O njeri hipokrit! Gjaku nuk bëhet ujë, sot e mot!

I përçmuat amanetet e tyre të përshpirtshme,
E pleksët gjithë qenien kaltërimit t’dheut lirisë.
Në perëndim do t’ ju përpijë zjarrmia e lakmisë.

Prangosur në kafazin e delirit të madhështisë.
Përjetësitë me hipokrizi asesi nuk preken dot
Kuptone! Gjaku, s’bëhet ujë, as sot e as mot!