Gjashtë federatave të sportit u ndahen 913 mijë euro

13.04.2017 12:40:49

913 mijë euro u janë ndarë gjashtë federatave të sportit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka njoftuar kjo ministri.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka nënshkruar sot memorandume të bashkëpunimit me gjashtë federata të sportit, me qëllim të mbështetjes financiare për arritjen e objektivave dhe synimeve të këtyre federatave për vitin 2017.

Vlera e përgjithshme me të cilën do të përkrahen këto federata arrin shumën e 913 mijë eurove. Konkretisht, Federata e Basketbollit e Kosovës do të mbështetet me 210 mijë euro këtë vit, e Hendbollit po ashtu me 210 mijë euro, e Volejbollit me 170 mijë euro, Xhudo me 135 mijë, Karateja me 98 mijë dhe Federata e Atletikës me 90 mijë euro.

MKRS-ja, përmes nënshkrimit të këtyre memorandumeve, i ndihmon federatat ta kenë më të lehtë funksionimin e tyre, realizimin e programeve dhe synimeve të planifikuara. Gjithashtu, kjo formë e përkrahjes mundëson që federatat të ushtrojnë veprimtarinë e tyre, organizimin e garave vjetore dhe pjesëmarrjen në ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare.

Drejtuesit e federatave këtë formë të përkrahjes e vlerësojnë jashtëzakonisht pozitive. Nëpërmjet memorandumeve krijohen kushtet për planifikim më të mirë dhe për veprimtari konkrete.