Gjatë ditës sqarohet se si do të rrënohet muri në Mitrovicë

04.02.2017 12:57:33

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në Qeverinë e Kosovës, Ferat Shala, tha për Radion Evropa e Lirë se pas arritjes së marrëveshjes me palët, gjithçka do të shkojë qetë dhe natyrshëm.

“Sot për sot mund të them vetëm atë që mbrëmë kemi arritur pajtueshmëri dhe është publike komunikata e dakorduar me Bashkimin Evropian dhe institucionet tjera. Gjithçka do të realizohet qetë, natyrshëm dhe kështu me radhë”, deklaroi Shala për Radion Evropa e Lirë.

Ministri Shala tha se qytetarët do të jenë të njoftuar shumë shpejt për atë se çka do të ndodhë me murin në veri të Mitrovicës.

“Shpejt opinioni, ndoshta edhe sot gjatë ditës [do të informohet] për gjithçka”, tha shkurt ministri Shala.

Qeveria Kosovës ka njoftuar se është arritur një marrëveshje për hapat që do të ndërmerren në lidhje me murin e ndërtuar në pjesën veriore të Mitrovicës.

Me anë të një komunikate për media, të lëshuar nga Qeveria në orët e para të ditës së shtunë, thuhet se gjatë ditëve të fundit dhe nën lehtësimin e Zyrës së BE-së, si dhe të Ambasadës së SHBA-së, ne, palët e përbëra nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, jemi pajtuar që të zgjidhim çështjen, e cila lidhet me ndërtimin e murit në Mitrovicën Veriore”.

Në komunikatë thuhet se është arritur “një zgjidhje, e cila do t’i ulë tensionet në veriun e Kosovës, do të ndihmojë lirinë e lëvizjes dhe do të krijojë një ambient të favorshëm për të gjithë qytetarët në veri dhe në jug të Mitrovicës”.

Publiku gjatë ditëve në vijim, bëhet e ditur se do të njoftohet edhe me planin e rishikuar për zonën e këmbësorëve, e cila buron nga marrëveshja në kuadër të dialogut të BE-së, që ka të bëjë me projektin e BE-së për urën.

“Ne jemi të vetëdijshëm që çështja ka shkaktuar paqartësi në periudhën paraprake, por jemi kënaqur që të gjithë ne kemi pasur një qasje konstruktive në mënyrë që të përmbyllim këtë çështje në mënyrë të qëndrueshme”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media.

Ndërkaq, zyrtarët e komunës së Mitrovicës së Veriut, kanë thirrur në mbledhje urgjente asamblistët e kësaj komune.

Në mbledhjen që është thirrur për orën 13:00 janë vetëm dy pika të rendit të ditës.

Asamblisti Bashkim Cimili nga PDK-ja tha për Radion Evropa e Lirë se pikat e rendit të ditës janë miratimi i vendimit për shpalljes së zonës së këmbësorëve në rrugën “Karl Petar” në pajtim me marrëveshjen e Brukselit dhe miratimi i projektit, rregullimi i hapësirës përreth urës kryesore të qytetit në përputhje me marrëveshjen e MMPH-së dhe Komunës së Mitrovicës Veriore, të nënshkruar të shtunën herët në mëngjes.

Drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar të shtunën se përfaqësuesit e Listës Serbe gjatë natës kanë arritur marrëveshje me Qeverinë në Prishtinë rreth asaj se si të vazhdohen punimet rreth urës mbi lumin Ibër, që ndanë qytetin e Mitrovicës.

Gjatë deklaratës dhënë Televizionit publik të Serbisë RTS, ai ka thënë se kjo marrëveshje do t’i zbusë tensionet dhe se ai pret që gjatë ditëve në vijim opinionit do t’i bëhet e ditur se si do të duket ajo zonë.

Ai, megjithatë, ka sqaruar se përfaqësuesit e serbëve të Kosovës janë të kënaqur me marrëveshjen.

Muri në Mitrovicë ishte ndërtuar gjatë dhjetorit të vitit të kaluar nga autoritetet lokale të Mitrovicës së veriut. Por, sipas Prishtinës zyrtare, ndërtimi i këtij muri ishte ilegal, që nënkupton ndarjen e Mitrovicës dhe si i tillë kërkohej të rrënohej.

Me qëndrim për rrënimin e tij ishte paraqitur edhe Kuvendi i Kosovës përmes një rezolute.

Tani marrëveshja thuhet se është arritur, por nuk janë bërë të qarta të gjitha detajet se si do të veprohet.