Gjendje e vështirë nga bora në Ferizaj, mblidhet Këshilli Komunal i Sigurisë në Bashkësi

06.01.2017 12:08:24

Këshilli Komunal i Sigurisë në Bashkësi i Ferizajt u mbodh sot me ngut, i thirrur nga kryetari i komunës Muharrem Svarqa, për të shqyrtuar gjendjen e krijuar pas reshjeve të fundit. Kryetari Svarqa e njoftoi këshillin për gjendjen e rrugëve dhe mobilizimin e kompanive, institucioneve dhe të qytetarëve për të hapur rrugët. Ai tha se shtabi i emergjencës është në gatishmëri që nga mbrëmë dhe janë angazhuar të gjitha kompanitë që kanë mekanizëm për pastrimin e borës. Gjithashtu janë mobilizuar edhe agjencitë dhe institucionet që mund të ndihmojnë në këtë drejtim.
Kryetari Svarqa tha se kompania “Pastërtia”, e kontraktuar për mirëmbajtjen e rrugëve të qytetit, ka dështuar të kryejë obligimet e veta, për shkak të defekteve në mekanizmin që e shfrytëzon për pastrimin e borës, prandaj gjatë ditës do të shtrohet dhe do të kërkohet përgjegjësia e të gjithë atyre që nuk kanë qenë në nivel të detyrës.
Anëtarë të KKSB-së shtruan nevojën e mobilizimit edhe të qytetarëve për të ndihmuar pastrimin e rrugëve e të trotuareve, si dhe kërkuan nga policia që të mënjanojë makinat e parkuara në trotuare.
KKSB konstatoi se gjende më e vështirë paraqitet në rrugën e fshatit Rakaj, në dalje të rrugës Gaçkë-Baicë dhe në Dremjak. U tha se kompanitë e angazhuara, tashmë po veprojnë për zhbllokimin e këtyre rrugëve.