Gjenerali D’Addario: Deklaratat nxitëse të politikanëve, mund të çojnë te incidentet në Kosovë

23.02.2019 12:35:57

Komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjeneral-major Lorenzo D’Addario ka apeluar te politikanët të shmangin retorikën nxitëse duke paralajmëruar se edhe deklarata më e vogël mund të çojë në incidente.

Duke folur për situatën e sigurisë në Kosovë,  gjenerali D’Addario ka thënë se nuk ka asnjë indikacion se do të mund të vijë deri te ndonjë incident.

Ai në një intervistë për gazetën serbe “Politika”, ka thënë se megjithatë e shqetësojnë deklaratat që vijnë nga të dyja anët [pala kosovare dhe serbe].

“Retorika mund të krijojë atmosferë të tensionuar, ku incidenti më i vogël mund të kthehet në incident të madh. U bëj thirrje të gjitha palëve të shmangin retorikën e ashpër”, thotë D’Addario, përcjell  Telegrafi.

I pyetur të komentojë  deklaratat e kryetarit të Mitrovicës jugore se “me dhunë do të bashkojë qytetin” dhe “kërcënimin e armatosur të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në qoftë se dikush provon ndarjen ose korrigjimin e kufijve të Kosovës, komandanti i KFOR-it, tha se misioni i KFOR-it është për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë.

“I kemi parasysh deklaratat politike, por ne flasim me të gjithë – me përfaqësuesit serbë dhe shqiptarë. Po flasim me të gjitha strukturat e Kosovës, duke filluar nga niveli qendror deri në nivelin lokal. Me të gjithë ne kemi një bashkëpunim të mirë. Jemi të paanshëm jemi, sepse mandati ynë është që të ofrojmë dhe garantojmë siguri për të gjithë”, tha ai.

Ai rikujtoi se KFOR shpesh kryen ushtrime në tërë territorin e Kosovës, duke shtuar se dëshiron të jetë gjithmonë i gatshëm për t’iu përgjigjur çfarëdo sfide.