Gjenocidi ndaj muslimanve, hebreve dhe heretikve

03.09.2019 22:54:23

Nga Sylejman Morina

Inkuizicioni i vështronte lëvizjet e botueseve dhe shitësve të librave në të gjitha qytetet e ndryshme evropiane, si në Itali, Spanjë, Francë, me qëllim që të ketë kontroll sa më efikas ndaj tyre. Pasi që Kisha gjithnjë e më tepër ballafaqohej me skizma të ndryshme kristiane, si dhe me librat e tyre “heretike”, në vitin 1571 papa Piu V themeloi Congregatio Indicis librorum prohibitorum (Kongregacioni i Veçantë për Indeksin e Librave Heretike).

Shën Bernard i Klairvales (1090-1153) shprehu mosbesim të thellë ndaj intelektit dhe përsëriste duke pohuar se “po qe se dituria nuk është në shërbim të Misionit të Shenjtë, atëherë ajo do të ishte një vepër e shëmtuar”. Kisha ishte ajo që përmes institucionit të saj të Inkuizicionit e publikoi listën e librave të ndaluara, libra këto që konsideroheshin si të rrezikshme për kishën dhe fenë. Indeksi i parë për ndalimin e librave (Index Librorum Prohibitorum) u publikua në vitin 1557 nga papa Pali IV. Një profesor i historisë së hershme moderne nga Universiteti i Parmës, Gigliola Grangito, tregon se si përmes hulumtimit në arkivat e reja të hapura erdhi deri te një zbulim i papritur në Indeks, ku flitej për reagimin e popullit kundër Ligjit për ndalesën e përkthimit të Dhiatës së Re në gjuhën italiane në vitin 1596. Lista e librave të ndaluara vazhdoi të jetë aktuale deri në vitin 1948, ndërsa botimi i tridhjetë e dy ikëtij Indeksi përmban më se 4.000 libra të ndaluara. Çuditërisht në këto botime të indekseve nuk figuron Meine Kampf dhe as një nga veprat e ndonjë autori fashist, i cili ka qenë me fe katolike. Ndërkaq në atë listë ekzistojnë librat e autorëve: Edvard Gibbon, Galileo Galilei, Anatoli Franc, Gustav Flaubert, Denis Didero, Rene Dekart, Daniel Defo, Nikola Kopernik, Xhordano Bruno, Honore de Balzak, Francis Bekon, Andre Gide, Thomas Hobbs, Viktor Ygo, David Hjum, Imanuel Kant, Xhon Lok, Nikolo Makiaveli, Nikola Malebransh, Karl Marks, Xhon Milton, Blaise Paskal, Zhan-Zhak Ruso, Zhan Pol Sartr, Baruh de Spinoza, etj. Ndër ata të cilët u dënuan nga ky gjyq ishin edhe Abelari nga Bati (v. 1120), Ivan Skot Eriugeniu (v. 1225), Xhon Viklifi (1328-1384), si dhe të shumë “heretikë” të tjerë, me të cilët Kisha me vrazhdësi i “qëroi hesapet”. Librat që përmbanin rrezik të veçantë, siç ishin ato të dijetarëve të reformacionit, Viklifit, Kalvinit, Sigerit, si dhe të Ibn Rrushdiut (1126-1198), Galieut etj., digje¬shin. Kështu ndodhi edhe me Talmudin e hebrenjve, i cili gjatë historisë disa herë u ndalua dhe u dogj, siç ndodhi edhe në vitin 1242, kur në sheshin e Parisit publikisht u dogjën disa kopje të Talmudit.
Atëherë kur në pushtet erdhën Isabella dhe Ferdinandi i Aragonës (1479-1516), për inkuizitor kryesor në Spanjë ishte emëruar françeskani Francisko Ksimenes de Cisneros. Ky kishte urdhëruar që të zhduken të gjitha librat e myslimanëve, që gjendeshin nëpër bibliotekat e Granadës, madje edhe ato nëpër biblioteka private. Kështu në sheshin Bab ul-Ramle të Granadës u tubuan dhe u dogjën qindra e mijëra libra… Që nga themelimi i Inkuizicionit e deri te heqja e tij, anekënd Evropës u dënuan më se një milion njerëz. Thuhet se vetëm gjatë periudhës 1481-1804 inkuizicioni spanjoll i persekutoi, i dënoi ose i mbyti mbi tridhjetë mijë njerëz. Ndër inkuizitorët më të ashpër dallohej Thomas de Torkuemado (1420-1498), ngase vetëm gjatë qëndrimit të tij në krye të Gjyqit të Inkuizicionit u dogjën 10.220 njerëz.
Urdhri papnor për dëbimin e jo kristianëve nga Spanja datonte që nga shek. XIII – edhe pse Inkuizicioni Spanjoll u themelua në vitin 1480. Pra, që në Koncilin e Lateranit (i mbajtur në vitin 1215 në Romë) lëshohet një dokument, sipas të cilit hebrenjtë – me qëllim që të njihen – detyrohen të mbajnë nga një shenjë me ngjyrë të verdhë, ndërsa në vitin 1267 Papa Klementi IV, përmes ediktit të quajtur Turbato corde, urdhëron Gjyqin e Inkuizicionit në Spanjë që t’i dëbojë të gjithë hebrenjtë nga Spanja.
Në Evropën e shekullit XIII hebrenjtë u ballafaquan me persekutime të ashpra skizmatike, gjë që u bë me urdhrin zyrtar të Vatikanit. Në të vërtetë dyshimet ndaj hebrenjve dhe librave të tyre teologjike erdhën si pasojë e paraqitjes së disa sekteve kristiane, siç ishin katarët, albigenezët dhe bogumilët. Të gjithë këta ranë në sytë e domi¬nikanëve (agjentëve të Kishës), andaj në vitin 1236 – me urdhrin e papës Gërguri IX – Kisha filloi fushatë edhe kundër hebrenjve. Si pasojë e këtyre zhvillimeve (në vitet 1239-1242), në Paris janë djegur 24 qerre me disa mijëra libra hebraike. Në të vërtetë, në vitin 1240 françe¬skani Nikolas Donin e kishte nxitur Gregorion X që ta digjte Talmudin… (Rino Camileri, “Historia e vërtetë e Inkuizicionit”, Medaur, Tiranë, 2004, f. 58). Hebrenjtë përjetonin dhunë dhe terror të pandalshëm nga kristianët spanjollë të shek. XIV, gjegjësisht atëherë kur në verë të vitit 1391 grupe krimi¬nelësh kristianë hynë në lagjet e hebrenj¬ve të Barcelonës dhe të qyteteve të tjera të ngjashëm, duke i shtrënguar banorët që të zgjidhnin midis pagëzimit ose vde¬kjes… (Thomas F. Madden, “The Crusades: The Essential Readings”, Blackwell, 2002). Fushata e djegies së librave fetare kundër hebrenjve vazhdoi edhe në Itali, Spanjë e Angli, ku u dogjën mijëra libra, që i përkisnin teologjisë hebraike. Po ashtu edhe në shekullin XVI pati fushatë të ashpër antihebraike. Me urdhrin e papës, në vitin 1553 në shumë qytete të Italisë – si në Romë, Venedik… – u dogjën disa mijëra libra hebraike, madje edhe kopje të shumta të Talmudit. Kjo ndodhi më 21 dhjetor të vitit 1533, kur sheshi Shën Marku u mbulua nga hiri i librave të djegura hebraike. (Aleksandar Stipčević, f. 278).
Pas asamblesë kishtare në Toledo, papa Sikstusi IV e autorizoi mbretin Ferdinand që t’i emërojë dy ose tre gjykatës-inkuizitorë që do t’i gjykojnë hebrenjtë, të cilët ishin konvertuar në kristianizëm, ndërsa në realitet kishin mbetur në fenë e tyre hebraike. Përveç këtyre, ata duhej që t’i gjykojnë edhe maurët/myslimanët spanjollë. Pas dorëzimit të çelësave të Granadës dhe pas humbjes së pushtetit në vitin 1492, për myslimanët dhe hebrenjtë e Spanjës erdhën ditë të errëta… Filluan persekutimet, mbytjet kolektive dhe terrori inkuizicionist. Gjithë kjo bëhej në emër të religjionit të tyre kristian dhe në emër të dinjitetit mbretëror. Menjëherë pas rënies së Granadës në duart e kristianëve, myslimanët dhe hebrenjtë u ftuan që të konvertohen në kristianizëm – në të kundërtën do të duhej t’u nënshtroheshin dënimeve të rrepta inkuizicioniste. (Beatris Komelja, “Španska Inkvizicija”, Clio, Beograd, 2003, fq. 48-49).
Në vitin 1501 mbreti spanjoll urdhëroi që të gjithë myslimanët e krahinave të Kastiljes dhe Leonit, doemos ta ndërrojnë fenë e tyre ose të shpërngulen. E njëjta mënyrë e shtypjes dhe persekutimeve ndodhi edhe me myslimanët e Aragonës në vitin 1525. Në vitin 1556 Filipi II nxori ligjin, sipas të cilit të gjithë myslimanët e mbetur në Aragonë medoemos duhej të largoheshin nga feja islame, nga gjuha arabe, nga mënyra e jetesës dhe veshmbathjes islame. Përfundimisht pas 117 viteve të persekutimit dhe terrorit inkuizicionist ndaj myslimanëve dhe hebrenjve të Spanjës, në vitin 1609, Filipi III nënshkruan urdhrin për persekutimin e plotë, respektivisht për dëbimin e të gjithë myslimanëve nga Siujdhesa Iberike. Me këtë urdhër janë persekutuar më shumë se gjysmë milioni myslimanë, ndërsa gjatë 117 viteve të inkuizicionit kristian nga Spanja u dëbuan, u mbytën dhe u zhdukën më tepër se tre milionë myslimanë.
Të theksojmë se kristianët drejt territoreve ku sundonte Perandoria Osmane i dëbuan edhe rreth 300.000 hebrenj. Në këto procese të zhdukjes së myslimanëve të Andaluzisë rolin kyç e kishte Kisha. Dëbimi i myslimanëve ishte shpallur detyrë e shenjtë fetare nga kryepeshkopi i Valencisë, i cili kanosej me “hakmarrje nga qielli” po qe se “jobesimtarët” kursehen.
Marsel Kash në “Historinë e civilizimit” do të shkruajë: “Gjatë kësaj periudhe janë gjykuar me vdekje ose janë hedhur në burgje të errëta e me lagështi rreth pesë milionë njerëz, edhe atë pikërisht për shkak të thyerjes së dekretit papnor. Gjatë 18 vjetëve (prej vitit 1481 e deri në vitin 1499), sipas urdhrit të gjyqit, janë djegur 1020 njerëz, janë çarë përgjysmë 6.860, ndërsa deri në vdekje janë torturuar 97.023 njerëz. Sipas Enciklopedisë së shekullit XX, T. 6. f. 598, në mesjetë, me urdhrin e Gjyqit Kishtar, janë djegur gjithsej 350.000 dijetarë dhe njerëz të arsimuar”. (Marsel Kash, “Historia e civilizimit – II”, f. 123).
Opinionet e artikullshkruesve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe qëndrimin e redaksisë.
Inkuizicioni u përdor nga mbretërit e Spanjës për zhdukjen e fesë islame në Andaluzi, pas rënies së sundimit islam në atë vend.

Gjyqi i inkuizicionit u themelua në vitin 1478 dhe kryetari i saj njihej si “inspektori i lartë”.

Ai dogji fillimisht dhjetëra mijëra libra të muslimanëve, kurse në qytetin Granada i detyruan muslimanët t’i dorëzojnë 15 milionë libra me kopertina të çmuara dhe më pas i dogjën të gjithë, përveç disa librave të mjekësisë.

Muslimanët detyroheshin ta pranonin krishterimin, ata paraqiteshin si të krishterë duke kryer ritet e tyre, ngaqë kishin frikë nga gjyqi i inkuizicionit, porse fshehurazi zbatonin fenë islame.

Gjërat që i ndalonte gjyqi i inkuizicionit

Gjyqi i inkuizicionit ndalonte këto gjëra:
– gjuhën arabe,
– bërjen synet (rrethprerjen),
– qëndrimin në drejtim të kibles,
– larjen e trupit,
– veshjet arabe,
– ushqimin arab ose maroken dhe përdorimin e kënasë.

Gjyqi i inkuizicionit po ashtu dënonte me vdekje çdo njeri për të cilin vërtetoheshin gjërat në vijim:
– Nëse ndokush lahej ditën e premte dhe merrej vesh se është musliman dënohej me vdekje.
– Nëse ndokush vishte roba të bukura në ditë bajrami, hetohej, nëse ishte gjë e rastësishme e linin, por nëse vërtetohej se është musliman dënohej me vdekje.
– Nëse gjenin Kuran në shtëpinë e ndokujt e dënonin me vdekje.
– Kushdo që e privonte veten nga ushqimi dhe pirja në muajin ramazan ose nuk pranonte të pinte raki a të hante mish derri dënohej me vdekje.
– Kur dyshonin për ndokënd se është musliman, e kontrollonin a është i bërë synet, nëse ishte i bërë synet ai ose ndonjë famlijar i tij, ekzekutohej me vdekje ai dhe e tërë familja e tij.

Disa nga mënyrat e torturimit të gjyqit të inkuizicionit
– Shqyerja e këmbëve dhe e nofullës.
– Mbushja e barkut me ujë derisa të vdiste nga asfiksia.
– Shtypja e eshtrave me mjete shtypëse.
– Djegia e trupit me gjemba të skuqur në zjarr.
– Goditja me shkopinj hekuri me gjemba.
– Prerja e gjuhës me mjete të veçanta.

Metodat e gjyqit të inkuizicionit gjatë ekzekutimit me vdekje
– Varrosja për së gjalli të gjykuarin, duke e vendosur në një gropë të thellë dhe duke i hedhur dhé përmbi.
– Djegia. Madje shpeshherë festonin duke organizuar djegie masive, ku digjeshin nganjëherë me dhjetëra njerëz. Mbreti Ferdinand V ishte i dashururar në këto “festa”.
– Arkivole me kunja të mëdhenj hekuri, të cilët shponin trupin e viktimës dalëngadalë derisa të vdiste.
– Pellgoret. I dënuari lidhej dhe vendosej në pellgore, pastaj binin mbi të pika uji derisa i dënuari mbulohej me ujë dhe vdiste në këtë mënyrë.

Nga gjyqi i inkuizicionit nuk shpëtonin as të vdekurit, herëpashere merreshin vendime për gërmimin e disa varreve.

Jacqueline Martin Bajnodez: Inquisition, mythe et réalité, Paris 1992

Fotografia e Sylejman Morina
Fotografia e Sylejman Morina
Fotografia e Sylejman Morina
Fotografia e Sylejman Morina