Gjeorgjia përjashton një diplomat rus

29.03.2018 14:21:57

Gjeorgjia ka vendosur që të dëbojë një diplomat rus, duke iu bashkuar masës së dhjetëra shteteve, si përgjigje ndaj helmimit të ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij në Britani.
Përmes një deklarate, ministria e Jashtme e Gjeorgjisë ka thënë se “dënon përdorimin e armëve kimike në territorin e Mbretërisë së Bashkuar, që ka shkaktuar vuajtje të rënda dhe përbën kërcënim serioz për jetën dhe shëndetin e personave tjerë”.

Duke theksuar se helmimi “përfaqëson sfidë serioze në sigurinë e përbashkët”, ministria ka thënë se një anëtar i stafit në sektorin e interesave ruse në Ambsadën e Zvicrës në Tbilisi duhet të largohet nga shteti brenda shtatë ditëve.

Hapi i Gjeorgjisë ka ardhur pas dëbimit të më shumë se 150 dipomatëve rusë nga Britania, Shtetet e Bashkuara, NATO-ja, disa shtete të Bashkimit Evropian, dhe disa të tjera që nuk i përkasin bllokut, duke përfshirë Ukrainën.