Gjermanët e CDU/CSU, të gatshëm të ulin palët në dialog. Rama e Basha lëvizin nga pozicionet e tyre

15.05.2019 17:18:38

Johann David Wadephul dhe Christian Schmidt

ARISTIR LUMEZI/ Kryeministri Rama dhe kreu demokrat Basha shfaqën dje shenja tërheqjeje nga pozicionet e mëparshme, duke pranuar të ulen për dialog.

Pas deklaratës së zëvendëskryetarit të Grupit Parlamentar të Unionit Kristiandemokrat (CDU/CSU) në Bundestag, e njëherazi kryesues i grupit të punës së Ballkanit Perëndimor, Johann David Wadephul, si dhe raportuesit për Shqipërinë në Komisionin për Çështjet e Jashtme, Christian Schmidt, që kërkuan dy ditë më parë dialog pa kushte mes opozitës dhe qeverisë, palët lëvizën nga pozicionet e tyre.

Si Basha, edhe Rama kanë bërë dy ditë rresht bashkëbisedime me gazetarët për të treguar pozicionet e tyre të reja.

“Të dyja palët janë njësoj përgjegjëse për paqen e brendshme dhe për krijimin e kushteve për çeljen e negociatave të anëtarësimit. Ata që nuk janë të gatshëm ta bëjnë këtë menjëherë, janë duke e çuar veten drejt izolimit politik. Ne jemi të gatshëm për të ndihmuar në kapërcimin e krizës”, thuhet në deklaratën e dy politikanëve gjermanë. Mësohet se selitë diplomatike kanë lëvizur dy ditët e fundit, kur ka qenë edhe afati i fundit për regjistrimin e kandidatëve në KQZ. Kreu demokrat ishte më i qartë dje për të marrë pjesë në angazhimin gjerman.

“Jam njohur këto 24 orë me qëndrimet e partnerëve ndërkombëtare. U kam komunikuar miqve ndërkombëtarë se mirëpres angazhimin e tyre për zgjidhjen e krizës politike në vend. PD dhe opozita kanë qenë dhe janë gati të përfshihen në një proces të vërtetë politik me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë për të zgjidhur këtë krizë dhe për t’iu kthyer shqiptarëve sovranitetin nga një qeveri dhe Parlament ilegjitim”, u shpreh dje Basha.

Ndërsa Kryeministri Rama, edhe pse u shpreh i vendosur për të mos negociuar për datën e zgjedhjeve për shkak të Kushtetutës, tha se do të ulej të fliste me Lulzim Bashën për të përmirësuar kuadrin ligjor për të gjitha shqetësimet e opozitës.

Pritet që deri në fund të javës të kemi një produkt të këtij ndërmjetësimi ndërkombëtar, edhe pse Rama u shpreh se nuk ka nevojë për të huajt për të dialoguar me Bashën. Por e shkuara e afërt dhe e largët na kujton gjetjen e zgjidhjeve në minutën e fundit, duke shkuar dhe në ndërhyrjet në Kushtetutë dhe ndryshimin e datës së zgjedhjeve.

Në maj 2017, pas afro tre muaj proteste, pasi ngriti një çadër para zyrës së Kryeministrit, duke kërkuar dorëheqjen e tij, Rama e Basha ranë dakord me propozimet e “Paketës McAllister”, e cila u pasurua dhe me disa propozime të zyrtarit të Departamentit amerikan të Shtetit, Hoyt Yee.

Marrëveshja mes tyre i jepte më shumë garanci opozitës për të kontrolluar qeverinë dhe administratën që të mos përfshiheshin në fushatën zgjedhore dhe të pranonin rezultatin e zgjedhjeve.

Ndonëse data e zgjedhjeve edhe në 2017 ishte caktuar, 18 qershori, Presidenti Nishani, në zbatim të marrëveshjes Rama-Basha, i shtyu ato me një javë, duke dekretuar datën e re, më 25 qershor 2017. Dhe në 2007, kriza e certifikatave e ngritur nga PS në opozitë çoi në një marrëveshje mes opozitës dhe maxhorancës, duke shtyrë datën e zgjedhjeve nga 20 janari në 18 shkurt 2007.