Gjermani “e çmendur”, Toni Kross përmbys në shtesë Suedinë

23.06.2018 23:25:55

Mund ta quajmë pa më të voglin dyshim të çmendur Gjermaninë.

Kampionët e Botës prekën fundin në pjesën e parë të sfidës me Suedinë, kur në minutën e 32-t Toivonen mposhtin Nojerin dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke hedhur përkohësisht në “tapet” shpresat për kualifikimin.

Por, pjesa e dytë rezervoi një ndryshim faqeje për Gjermaninë e Low, e cila e gjeti golin e barazimit shumë shpejt që në minutën e 48 me yllin e Dortmund, Marko Reus dhe më pas mori në kontroll frenat e lojës.

Për shumë minuta me radhë gjermanët kërkuan golin, por forcat e shtuara në sulm me Gomez, Werner, Reus dhe Myller nuk bënë ndryshimin.

Pozitat e Gjermanisë u përkeqësuan në minutën e ‘82 kur Boateng u ndëshkua me kartonin e kuq. Por një goditje dënimi në minutën e 95, ngriti peshë gjithë tifozët gjermanë, pasi Toni Kross e “qëndisi” duke e dërguar topin aty ku nuk e imagjinonte portieri suedez.

Gjermania ka triumfuar kështu me rezultatin 2-1 me një gol magjik që do të hyjë në historinë e Botërorëve dhe ka ende shpresë për t’u kualifikuar edhe si e para e grupit ku udhëheq Meksika.