Gjermani, shqiptarët kryesojnë kthimet vullnetare pas refuzimit të azilit

28.12.2016 15:39:10

Një numër rekord prej 55 mijë emigrantësh janë larguar në mënyrë vullnetare nga Gjermania gjatë këtij viti, më shumë se dyfishi i numrit të të deportuarve. E përditshmja gjermane “Sueddeutsche Zeitung” siguroi të dhënat për muajt janar-nëntor nga Zyra për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF), ndërsa vihet re se shumica e emigrantëve të vetëlarguar janë nga Ballkani Perëndimor.

Shqiptarët formojnë grupin më të madh të të kthyerve vullnetarë me 15 mijë të tillë, ndërsa serbët, irakianët dhe kosovarët kapin shifrat e 5.000 të kthyerve vullnetarë. Gjermania regjistroi numrin rekord të azilkërkuesve gjatë vitit të kaluar, me të paktën 890 mijë të tillë të mbërritur me fluksin rekord që prej Luftës së Dytë Botërore.

Në vitin 2016, Gjermania deportoi 25 mijë emigrantë. Dhe siç dihet, ata që mbërritën në Gjermani prej vendeve të Ballkanit Përëndimor përgjithësisht nuk kanë të drejtë për të qëndruar atje. “BAMF” thotë se një numër gjithnjë e më i madh azilkërkuesish janë duke u rikthyer vullnetarisht në Irak, Iran dhe Afganistan. Në këtë të fundit, vullnetarët e kthyer gjatë këtij viti kapin shifrat e 3.200 të tillëve, rreth 10 herë më shumë sesa u kthyen në vitin 2015. Më herët gjatë këtij dhjetori, 34 afganë janë deportuar nga vendi, pasi iu refuzuan kërkesat për azil, shkruan TopChannel.

Qeveria gjermane është angazhuar se do të përshkallëzojë normat e kthimit të emigrantëve, edhe për shkak të kritikave nga mbarë vendi ndaj Kancelares Angela Merkel, mbi të gjitha për politikën e saj të dyerve të hapura ndaj refugjatëve.

Megjithatë, ligji ndërkombëtar e ndalon “kthimin” e refugjatëve në zonat ku mund të përballen me rreziqe të mëdha nga lufta apo persekutimi. Ndërsa çdo kërkesë për azil duhet të vlerësohet individualisht, duke mos pasur asnjë lloj diskriminimi ndaj grupeve të veçanta.

Bashkimi Europian, gjithsesi, nuk e ka ende një listë të miratuar të vendeve “të sigurta” të origjinës, por shtete anëtare të unionit i marrin vendimet në mënyrë individuale ndaj secilit azilkërkues.