Gjermania bën detyrën ndaj Azerbajxhanit, Defoe & Vardy vendosin për Anglinë

26.03.2017 20:02:03

Gjermania ka mundur pa shumë vështirësi Azerbajxhanin me rezultatin 4:1. Ishte një ndeshje e bukur në “Tifiq Bahramov” të Bakut, me gjermanët që si favoritë të padyshimtë që ishin arritën të konfirmonin parashikuesit dhe analistët e shumtë që kishin sugjeruar një fitore të “Die Mannschaft”.

Gjermanët filluan menjëherë të përqendruar megjithëse në minutat e para të ndeshjes vendasit luajtën si të barabartë duke u munduar të paraqiteshin sa më mirë përpara tifozëve të tyre. Por goli i parë nuk vonoi shumë kur Schurrle shfrytëzon më së miri pasimin e Hector nga e majta.

Azerbajxhani gjeti forcat të barazonte duke i dhënë shpresë mijëra spektatorëve të pranishëm por vizitorët, të cilët sot pësuan golin e parë në kualifikuese,  në asnjë moment nuk u ndjenë të kërcënuar duke ruajtur përqendrimin me objektivin e vetëm fitorja.

Dhe si pasojë rrodhën dy gola që pa përfunduar pjesa e parë. Në fillim ishte lojtari i Bayern Munich Thomas Muller ai që shënoi golin e avantazhit dhe pas tij ishte ish-lojtari i Bayern Mario Gomez ai që i dha golin e qetësisë miqve.

Në pjesën e dytë gjermanët bënë atë që dinë të bëjnë më mirë, të kontrollojnë lojën me gjakftohtësi dhe përqendrim duke mos lejuar që vendasit të rifuteshin në lojë për herë të dytë madje duke gjetur edhe njëherë golin në fund të takimit me anë të Schurrle, i cili përfundon ndeshjen me një dopietë. Gjermani me këtë fitore ruan vendin e parë dhe ecurinë perfekte me pesë fitore në pesë ndeshje. /telesport.al/