Gjermania, goleadë ndaj Norvegjisë. Rashford i dhuron fitoren Anglisë

05.09.2017 12:53:33

Gjermania mbetet perfekte në Grupin C të ndeshjeve kualifikuese për Rusi 2018. Kampionët e Botës në fuqi, të cilët janë të pamposhtur prej 26 ndeshjesh të njëpasnjëshme, kanë marrë fitoren e tetë radhazi në po kaq ndeshje të luajtura deri tani në këtë grup.

“Viktima” e radhës ka qenë Norvegjia, e mundur me rezultatin e thellë 6-0. Skuadra e Low ka realizuar tre gola në harkun e 21 minutave me Ozil, Draxler dhe Werner, me këtë të fundit që katërfishuar avantazhin e vendasve pesë minuta para mbylljes së pjesës së parë. Në pjesën e dytë Gjermania është treguar më e përmbajtur, duke shënuar vetëm dy gola me Goretzka-n dhe Gomez, respektivisht në minutat 50’ dhe 70’. Falë këtij rezultati gjermanët janë ngjitur në kuotën e 24 pikëve në grup, duke blinduar vendin e parë dhe duke hipotekuar kualifikimin në botërorin e ardhshëm.

Në grupin F, Anglia ka vuajtur, por në fund ka arritur të marrë një fitore shumë të rëndësishme 2-1 në “Wembley” kundër Sllovakisë. Kanë qenë miqtë ata që kanë kaluar të parët në avantazh pas 3 minutash lojë me Lobotka, ndërsa reagimi i vendasve ka ardhur në minutën e 37-të me Dier.

Goli që i ka siguruar tri pikët anglezëve ka ardhur në minutën e 60-të, me Rashford që ka mposhtur portierin Dubravka me një goditje të mrekullueshme nga jashtë zone. Me këtë fitore, “Tre Luanët”, që mbajnë vendin e parë në grup, kanë thelluar me pesë pikë diferencën me vendin e dytë, ku pozicionohet pikërisht kombëtarja e Sllovakisë.