Gjermania sot zgjedh presidentin e saj, por cila është procedura e zgjedhjes së tij?

12.02.2017 12:11:59

Presidenti në Gjermani ka shumë pak kompetenca ekzektive, por është një autoritet moral që ndikon në funksionimin e shtetit dhe të shoqërisë gjermane në kuptimin e përfaqësimit të vlerave kombëtare dhe demokratike të gjermanëve.

Është interesante procedura për zgjedhjen e presidentit në Gjermani, pasi atë nuk e zgjedh as populli, as Bundestagu gjerman, por e zgjedh një Asamble parlamentare e përbërë nga 1260 anëtarë nga 630 ligjvënës të Dhomës së ulët, dhe po aq përfaqësues nga 16 lande gjermane, transmeton fokusi.org

Gjasat më të mëdha për të fituar i ka Frank-Walter Steinmeier, i cili ka qenë lider i partisë së majtë SPD, e cila që tri mandate bashkëqeveris me CDU-CSU-në e kancelares Merkel. Frank-Walter Steinmeier ka qenë zëvendëskancelar dhe ministër i Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Frank-Walter Steinmeier ka mbështetjen e plotë të koalicionit të madh dhe pritet që të zgjedhet pa ndonjë problem të madh, pasi që ky koalicion i ka të gjithë numrat që i duhen.

Megjithatë, përveç Steinmeier-it, në garë janë edhe Christoph Butterwegge nga Partia e majtë opozitare,  Albrecht Glaser, zëvendëslider i Alternativës gjermane, Alexander Hold, i nominuar nga Partia e votuesve të lirë nga Bavaria dhe Engelbert Sonneborn.

Në qarqet analitike dhe politike gjermane, zgjedhja e presidentit gjerman konsiderohet edhe veprimi i fundit i përbashkët i dy partive më të mëdha dhe kundërshtare historike, pasi që secila do të pretndojë t’i fitojë zgjedhjet dhe të mos ketë nevojë për koalicion të madh./fokusi.org