Gjilani nis rindërtimin e stadiumit të qytetit

10.11.2017 13:42:16

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri dhe përfaqësuesit e klubeve “Drita” dhe “Gjilani”, kanë vënë sot gurthemelin e rindërtimit të stadiumit të qytetit.

Kryetari i Gjilanit tha se rindërtimi i stadiumit i dedikohet “Gjilanit” dhe “Dritës”, përkatësisht “Intelektualëve” dhe “Skifterave”.

“Ky stadium i destinohet “Intelektualëve” dhe “Skifterave” dhe dy klubeve të qytetit, të cilat tashmë janë në elitën e futbollit dhe shpresoj shumë që të jenë edhe në gara ndërtkombëtare. Rindërtimi i stadiumit po bëhet në këtë vend, në të cilin është vendosur nga baballarët tanë. Nuk kam dashur ta ndërroj vendin, zemrën e qytetit, e cila i dedikohet sportit”, ka thënë kryetari Haziri.

Kryetari Haziri ka falënderuar legjendat e futbollit për kontributin e madh që sporti të mos shuhet kurrë, përderisa ka thënë se stadiumi po rindërtohet sipas standardeve të FIFA dhe UEFA.

“Ky stadium është i kategorisë së katërt sipas standardeve të FIFA dhe UEFA. E falënderoj kryetarin Vokrri që ekspertët e UEFA e kanë licensuar projektin sepse është dashur të kalohet në procedurë për t’i plotësuar të gjitha kërkesat. Ky stadium i plotëson të gjitha kriteret për lojëra ndërkombëtare për të gjitha grupmoshat. Ne i falemi kujtimit të punës së veteranëve të futbollit”, tha Haziri.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ka thënë se është i kënaqur dhe i privilegjuar që ka filluar rindërtimi i këtij stadiumi.

“Sipas kërkesës së kryetarit Haziri dhe dy klubeve, sigurisht se do të jemi krah i fortë i dy klubeve dhe i futbollit të Gjilanit. Ju faleminderit dhe e gëzofshi”, është shprehur Vokrri.

Pronarët e klubeve të futbollit “Drita” e “Gjilani” kanë falënderuar Komunën e Gjilanit për fillimin e këtij projekti të madh, përderisa kanë kërkuar nga kryetari Lutfi Haziri që të ndalohen tubimet politike në stadium, pasi siç thanë ata, do të dëmtohej drenazha.

E kryetari Haziri i është përgjigjur kërkesës së klubeve.

“Përkundër përgatitjes dhe vullnetit tonë, si kandidat i këtij qytetit për kryetar komune, ju siguroj nuk do të mbajmë tubim politik në stadium, në mënyrë që t’ua lëmë këtë hapësirë futbollit dhe të mos e dëmtojmë. Për partinë tjetër unë e kam bërë aprovimin, por është vlerësim i tyre. Unë e respektoj kërkesën e dy klubeve”, është shprehur kreu i Gjilanit.

Përndryshe, vlera e rikonstruimit të stadiumit është 6 milionë euro, ndërkaq deri tani janë të siguruara e të kontraktuara 3.2 milionë euro.