Gjithçka gati për manifestimin tradicional në përkujtim të shkollës së parë shqipe

16.09.2016 19:26:41

Për manifestimin mbarëkombëtar, tashmë edhe ndërkombëtar, në përkujtim të shkollës së parë shqipe në Kosovë, tani gjithçka është gati.

Të shtunën, më 24 shtator do të mbahet edicioni i njëzeteshtatë i këtij manifestimi, i filluar në vitin 1990 “Takimet e Dom Mikelit 2016”.

Sipas njoftimit, tema bosht e akademisë shkencore do të jetë “Nënë Tereza dhe shqiptarët” kushtuar shenjtores sonë Shën Tereza Bojaxhiut, ku pos biografit të saj, Dom Lush Gjergjit, do të ligjërojnë edhe Visar Zhiti, At Sebastian Vazhakala (nga Kalkuta), Prof Anton Nikë Berisha nga Kozenca dhe Valentino Salvoldi, nga Bergamo.

“Si zakonisht do të mbahet edhe ora e madhe letrare, me Çmimin special Agim Ramadani, me pjesëmarrjen e poetëve nga hapësira jonë mbarëkombëtare dhe programi artistik, që në mangësi të aktivitetit të Zërit të Karadakut, do e udhëheqë Ansambli Kenan Azizi nga Vitia. Do të ndahet edhe çmimi i veteranit të arsimit “Qeshk Shan Ukaj” dhe do të mbahet një ekspozitë mbarëkombëtare e pikturës, kushtuar Shën Terezës NËNA E DASHURISË”, thuhet në njoftim.