Gjosha pret zyrtarin estonez: Integrimi, mbi çdo axhendë patiake

20.03.2017 13:49:53

Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha priti sot në një takim Ministrin e Çështjeve Europiane të Estonisë, Matti Maasikas.

Bashkëbiseduesit, diskutuan për procesin e integrimit të Shqipërisë, perspektivën e zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe sfidat me të cilat përballet Europa sot.

Ministrja Gjosha, theksoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për ta pasur prioritet kombëtar integrimin, duke punuar me reformat që përshpejtojnë axhendën europiane.

Ministrja Gjosha, nënvizoi gjithashtu se e ardhmja europiane e Shqipërisë qëndron mbi axhendat partiake, ndaj dialogu në politikë është mekanizmi më i mirë për të çuar përpara vendin duke ofruar zgjidhjet e duhura për qytetarët.

“Integrimin e Shqipërisë në familjen europiane e duan pjesa më e madhe e qytetarëve shqiptarë, ndaj politika duhet t’i shërbejë vullnetit të tyre, duke ofruar zgjidhje”, tha Ministrja Gjosha.

Duke u ndalur tek reforma në drejtësi zv.Ministri i Estonisë u shpreh se zbatimi i shpejtë i ligjit të Vettingut është kusht për çeljen e negociatave, ndaj angazhimi i të gjithë aktorëve duhet të jetë maksimal për të arritur rezultate.