Gjuha e përbashkët – kusht për bashkimin e një kombi

26.10.2016 10:22:12

Nga Ullmar Qvick*

Në Suedi, një shtet për të cilin mund të flas me kompetencë si suedez, krijimi i gjuhës kombëtare ishte proces i gjatë. Mirëpo, fakti se epiqendra politike u ndërrua, nga krahina e Vestergëtlandës për në krahinat rreth Liqenit Melaren (Mälaren) luajti rol vendimtar. Kur shkolla fillore u bë realitet në vitin 1842 nuk u diskutua fare për “variante” të gjuhës së shkruar. Sigurisht fëmijët në krahinën e Skonës (Skåne) në jug dhe në Dalarna larg në veri, kishin probleme të kuptimit. Mirëpo, mësimi i gjuhës së shkruar nuk pranoi mësimin e dialekteve. Normative ishte vetëm gjuha kombëtare.

Dhe normalisht gjuha e epiqendrës politike bëhet gjuhë zyrtare në shtetet e botës.

Ndër shqiptarët procesi i formimit të gjuhës së njësuar u bë më i ndërlikuar. Viti 1908 – viti i krijimit të një alfabeti të përsosur – dhe viti 1972 – kur përfaqësuesit nga të gjitha viset shqiptare pranonin gjuhën e përbashkët letrare për shkollat, mediat dhe për një përdorim të përbashkët gjithëkombëtar.

Sot përdorimi i gjuhës shqipe më duket si një xhungël. Kuptoj mirë problemet e gjeneratës së shqiptarëve, sidomos të Kosovës dhe të Maqedonisë, të lindur në vitet 1950-1970, për të përvetësuar normën letrare, normat e gjuhës së njësuar. Ju kuptoj!

Mirëpo, gjenerata e re, me shkollim dhe me mediat afër hundës, shkruan shqip shumë herë pa norma fare. Duhet të pranojmë dobësitë e gjuhës së njësuar, me tepër pak elemente nga gegërishtja, mirëpo, normë tjetër s’ka. Dhe pa norma gjuha e shkruar bastardohet, ndahet në minigrupe ku njerëzit e qytetit ose të fshatit, anëtarë të komunitetit lokal ose rajonal, kuptojnë këtë gjuhë, ndërsa njerëzit 300 km larg ose më tej, nuk marrin vesh!

A dëshironi këtë gjendje? A doni që të vërtetohet shprehja cinike e Bismarkut 140 vite më parë: Një komb shqiptar nuk ekziston!

Mendoni pak, miqtë e mi, kush ka interes për një mungesë bashkimi, të manifestuar në një xhungël ose anarki gjuhësore?

Ju e dini, janë ato forca të cilat kanë kanosur vazhdimisht kombin shqiptar, të cilët duan përçarjen, mosbashkimin e shqiptarëve.

Nuk kam si qëllim të fyej askënd, mirëpo problemi më duket të jetë me rëndësi të madhe. Dhe si suedez, ndoshta mund të diskutoj me objektivitet, pa ngjyrim krahinor etj.

Bujku lëvron tokën, ne duhet të lëvrojmë gjuhën tonë. (Po shkruaj gjuhën tonë, sepse shqipja më ka hyrë në palcë.) Ju, a doni të lëvroni gjuhën tuaj ose ta lëni djerrinë?

Më 26 tetor 2016

*Ullmar Qvick është albanolog dhe mik i madh i shqiptarëve nga Suedia.