Gjukanoviq: Kushdo që synon të luaj me Malin e Zi, përfundon keq

16.10.2016 14:24:00

Kryeministri i Malit të Zi Milo Gjukanoviq deklaroi sot se për arrestimin e ish-shefit të Xhandarmerisë serbe Bratisllav Dikiq dhe grupit të armatosur që ka udhëhequr ai, ka njohuri aq sa janë publikuar sot në medie, ndërsa pret që zgjedhjet parlamentare të kalojnë në atmosferë të qetë dhe të rregullt.

“Kam informatat që i keni të gjithë, pra ato që u paraqitën përmes medies. Në kontaktet që pata me organet e shtetit mora konfirmim se procedura për përgatitjen e komunikatës me të cilën organet shtetërore do t’i drejtohen publikut janë në fazën përfundimtare. Pres që shumë shpejt do të marrim informata lidhur me rastin”, u tha Gjukanoviqi gazetarëve pasi votoi në vendvotimin e tij në Podgoricë.

Ai hodhi poshtë mundësinë që gjatë ditës së sotme të ketë incidente. I pyetur nëse mund të ndodhë një gjë e tillë ai u përgjigj:

“Jo, jo! Mali i Zi është shtet shumë stabil dhe funksional dhe kushdo që mendon se mund të luajë me të do të përfundojë siç kanë përfunduar edhe deri tani”, transmeton Gazeta Express deklaratën e kryeministrit malazez.

Një grup 15-anëtarësh, i udhëhequr nga ish-komandanti i Xhandarmerisë serbe Bratisllav Dikiq, është arrestuar mbrëmë, natën para zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi, në rrethinën e Podgoricës.

Burime jozyrtare kanë thënë se grupi ka qenë i armatosur, ndërsa gjatë natës së kaluar është zbuluar vendndodhja e tij në afërsi të kryeqytetit dhe i njëjti është arrestuar.