Gjuriq: Shqiptarët janë unik për Trepçën

10.10.2016 17:42:11

Shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka thënë sot se për dallim prej palës shqiptare, në Serbi nuk ka konsensus sa i përket një teme kaq të ndjeshme, siç është rasti i Trepçës.

Gjuriq këtë e ka thënë duke u përgjigjur në pyetje se çfarë ka nënshkruar Beogradi zyrtar për Trepçën në Bruksel në emisionin “150 minuta” në TV Prva.

“Këtu ne jemi në problem. Derisa politikanët shqiptarë janë të bashkuar në qëllimin që të ndahen (pavarësohen), të na marrin pasurinë tonë, ne në Serbi kemi prani të agjentëve politikë në këtë temë”, ka thënë Gjuriq, transmeton lajmi.net.

Siç ka thënë ai, “dihet se” dy të tretat e Marrëveshjes së Brukselit kanë të bëjnë me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, derisa pjesa tjera lidhet me raportet në organet e gjyqësisë dhe policisë.

“Megjithë këtë, këtu ka të atillë që sulmojnë Qeverinë e Serbisë e cila lufton që problemi të zgjidhet. Askund nuk është paraparë obligimi për shuarjen e disa institucioneve tona, përkundrazi”, ka thënë Gjuriq.

Sipas tij, Beogradi me vite ka insistuar që për Trepçën të bisedohet në Bruksel, por kjo është refuzuar.

“Aleksandar Vuçiq para tri ose katër vitesh ka insistuar vazhdimisht për këtë, por njëjtë, në vazhdimësi e kanë refuzuar. Prandaj kërkojmë përfshirjen e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë ai.