Gjuriq: Telekomi i Serbisë edhe zyrtarisht në Kosovë, jemi të kënaqur

14.11.2016 15:09:45

Qeveria serbe është e kënaqur me marrëveshjen për telekomunikacionin të arritur me Prishtinën, dhe mbi të gjitha nga fakti se Telekom Serbia zyrtarisht do punojë në Kosovë dhe “atë si një kompani që është e njohur ligjërisht nga komuniteti ndërkombëtar dhe institucionet e Prishtinës”.

Kështu ka thënë drejtori i të ashtuqujturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

“Kompanitë tona shtetëore në fund do të punojnë në mënyrë të ligjshme në territorin e krahinës sonë jugore. Ligjërisht dhe zyrtarisht të njohura nga bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet e Prishtinës”, ka thënë ai në një konferencë për shtyp.

“Republika e Serbisë, Qeveria e Serbisë janë të  kënaqura se pasuritë e saj në territorin e krahinës jugore do të mbrohen plotësisht dhe do të ruhen jo vetëm në sistemin tonë, çështje kjo që nuk është vënë kurrë në pyetje, por do të jetë e  mbrojtur dhe ruajtur me këtë marrëveshje që  garanton transferimin e saj në kompaninë ‘Telekom Serbia’, kështu që 100 për qind do të jetë në pronësi të Telekom Serbia, dhe që do të vendoset në territorin e krahinës sonë jugore”, ka shtuar ai, transmeton Klan Kosova.