Gjykata e Apelit në rolin e avokatit të Grabovcit

06.10.2016 11:23:54

Atë që nuk ka arritur ta bëjnë avokatët e Adem Grabovcit, e ka bërë Gjykata e Apelit. Kjo gjykatë e ka prishur aktvendimin e Gjykatës Themelore që hedh poshtë kërkesën e Grabovcit për ndalim të publikimit të përgjimeve.

Ka urdhëruar shkallën e parë që të kërkojë nga paditësi që të sjell prova të reja lidhur me pretendimet se i është shkelur privatësia dhe të drejtat kushtetuese.

Gjykata e Apelit ka marrë rolin e avokatit të Adem Grabovcit. I ka dhënë udhëzime të qarta avokatit të Grabovcit, se çfarë veprimesh dhe provash duhet të prezantojë kundër Insajderit në rastin e publikimit të përgjimeve.

Një kolegj gjyqtarësh të Gjykatës së Apelit i përbërë nga Fejzullah Rexhepi – kryetar dhe Ramë Hyseni e Qerim Ademaj – anëtarë, e ka prishur aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe e ka kthyer lëndën në rigjykim.

Pos kësaj, i ka dhënë udhëzime shkallës së parë që të kërkojë prova shtesë nga mbrojtja e Adem Grabovcit, lidhur me pretendimet se me publikimin e përgjimeve telefonike, paditësit i është shkelur privatësia dhe të drejtat kushtetuese.