Gjykata kërkon heqjen e imunitetit 6 deputetëve

28.11.2017 22:15:04

Gjykata Penale e Maqedonisë ka dërguar në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit për gjashtë deputetë të Kuvendit.

Siç raporton Alsat-M, sipas informacioneve nga Kuvendi, kërkesa janë pranuar, por prisnin që kryeparlamentari Talat Xhaferi të kthehet nesër nga një udhëtim zyrtar në Suedi.

Pritet që kryeparlamentari Xhaferi këto kërkesa t’i paraqesë në Komisionin për Rregulloren Imuniteteve dhe të caktojë enkas një seancë për të vendosur mbi këto kërkesa të Gjykatës Penale.

Kjo seancë mund të zhvillohet brenda ditës së nesërme, sapo kryeparlamentari Xhaferi të kthehet nga ky udhëtimi zyrtar.

Xhaferi sot në Stokholm u shpreh paraprakisht në lidhje me këto arrestime dhe tha se deputetët nuk mund të arrestohen pa vendim të një gjykate dhe pa informuar më parë Kuvendin.

Në mesin e të ndaluarve, të cilët po merren në pyetje në Gjykatën Penale, janë deputetë të VMRO-së, ish kreu i BSP-së Mitko Çavkov, mjekë, aktorë dhe ish zyrtarë të tjerë të VMRO-DPMNE-së.

Jo zyrtarisht, ndaj 36 personave Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit për veprën “terrorizëm dhe cenimin e rendit kushtetues”.