Gjykata Kushtetuese po vazhdon ta forcojë sistemin kushtetues

26.10.2016 20:22:55

Shtatë vite më parë u themelua Gjykata Kushtetuese e Kosovës si akti më i lartë juridik i një shteti, i cili institucion mbron themelet kushtetuese të shtetit, të drejtat dhe liritë e çdo personi juridik dhe fizik të Republikës së Kosovës.

Sot me një ceremoni solemne, u shënua shtatë-vjetori i themelimit të Gjykatës Kushtetuese, ku marrën pjesë krerët e shtetit dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese po vazhdon ta forcojë sistemin kushtetues të vendit, ku sipas saj vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë si rezultat i presioneve politike, shoqërore, por rezultat i analizave dhe zbatimit rigoroz të dispozitave kushtetuese.

“Dëshiroj të theksoj se edhe gjatë këtij viti, asnjë nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë rezultat as i presionit politik, shoqëror apo ndonjë komoditeti. Vendimet tona janë rezultat i analizave të përkushtuar të secilit rast dhe i zbatimit rigoroz të dispozitave kushtetuese dhe standardeve më të larta vendore e ndërkombëtare. Misioni i Gjykatës Kushtetuese nuk është që të marrë vendime që janë të kënaqshme dhe të pranueshme për individ apo grupe të caktuara, mirëpo misioni ynë është që të shërbejë si interpretues përfundimtar i Kushtetutës, duke mbrojtur themelet kushtetuese të shtetit dhe të drejtat dhe liritë e çdo personi juridik dhe fizik të Republikës së Kosovës”, tha Rama-Hajrizi.

Lëvdata për Gjykatën Kushtetuese në shtatë-vjetorin e saj, pati edhe nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

I pari i vendit është shprehur se efekti i vendimeve të kësaj gjykate në kuptimin e fuqisë së tyre juridike është përfundimtar dhe ato nuk duhet t’i nënshtrohen rishikimit të cilit do institucion.

“Efekti i vendimeve të kësaj gjykate në kuptimin e fuqisë së tyre juridike, është përfundimtar dhe ato nuk mund t’i nënshtrohen rishikimit nga cilido institucion apo mekanizëm shtetëror. Zbatimi i këtyre vendimeve, duke filluar nga Presidenti e deri tek të gjitha institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, ka treguar dhe po tregon se Gjykata Kushtetuese është një nga kontribuuesit më të mëdhenj në funksionimin e demokracisë në Kosovë… Gjykata Kushtetuese gjatë këtyre shtatë-viteve të themelimit të saj, ka treguar se është plotësisht e pavarur në kryerjen e papërgjegjësive të saj”, tha Thaçi.

Themelimin e Kushtetutës së Kosovës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli e cilësoi si hap historik në procesin e shtetëndërtimit të Kosovës, pas Pavarësisë. Ai madje tha se për këto 7 vite Gjykata Kushtetuese ka luajtur rol të rëndësishëm në formësimin e shtetit tonë.

“Themelimi i këtij institucioni ka qenë një hap historik në procesin e shtetndërtimit të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë. Republika e Kosovës, shtet modern evropian, qëndron i bazuar mbi një kushtetutë, e cila përmban standardet më të larta të lirive dhe të drejtave të njeriut, të drejtave të qytetarëve dhe ato të komuniteteve. Në 7 vitet e saj të funksionimit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në formësimin e shtetit tonë, si një shtet ku respektohet sovraniteti i ligjit, që do të thotë se askush nuk është mbi ligjin, sovraniteti i popullit, që do të thotë se parimi demokratik është parimi i vetëm i pushtetit politik”, tha Veseli.

Se Gjykata Kushtetuese pati rol të rëndësishëm për mbrojtjen dhe forcimin e shtetit të Kosovës, e tha edhe kryeministri Isa Mustafa.

“Mund të konstatohet po ashtu se Gjykata Kushtetuese këto vite ka bërë një punë tepër të rëndësishme për mbrojtjen dhe forcimin e shteti të Kosovës… Për ta përshëndetur është edhe përpjekja e vazhdueshme e Gjykatës së Kosovës, e cila duke qenë autoritetet përfundimtar në shtetëndërtimin e Kushtetutës së Kosovës, ka mbrojtur dhe ka afirmuar vlerat juridike dhe parimin demokratik se askush nuk është mbi ligjin dhe mbrojtja e këtij parimi është detyrë e gjithë neve”, tha Mustafa.

Kurse, ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Dhurata Hoxha tha se kjo datë e veçantë më shumë duhet përjetohet si një thirrje dhe detyrim moral, politik dhe njerëzor për t’i respektuar dhe mbrojtur premtimet dhe detyrimet që institucionet kanë marrë.

Ndryshe, mes shumë vendimeve, Gjykatës Kushtetuese mori dy vendime të cilat shkarkuan dy presidentë të vendit, Fatmir Sejdiun dhe Behgjet Pacollin, për shkelje të Kushtetutës.