Gjykata Kushtetuese së shpejti merr vendim për votën e deputetit Etem Arifi

Gjykata Kushtetuese së shpejti merr vendim për votën e deputetit Etem Arifi

06.12.2020 13:55:02

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, në lidhje me votimin e deputetit Etem Arifi, për zgjedhjen e   qeverisë Hoti, Gjykata Kushtetuese së shpejti pritet të marrë një vendim në lidhje me këtë rast.

Njohës të kushtetutës pohojnë se nëse ndodh që Kushtetuesja të shpallë të pa vlefshme votën e deputetit Arifi, vendimet e Qeverisë nuk do të mund të shpallen të paligjshme, e ajo që mund të ndodhë është vetëm rivotimi për qeverinë Hoti.

Kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje për vlerësimin e kushtetutshmërisë së njërës nga 61 votat pro qeverisë Hoti, gjegjësisht votimit të deputetit Etem Arifi, është drejt marrjes së një epilogu përfundimtar.

Për këtë, më 2 dhjetor, Gjykata Kushtetuese mbajti seancë dëgjimore ku palët
paraqitën pretendimet e tyre, pro e kundër vlefshmërisë së votës së deputetit, i cili ndodhet në burg.
Duke mos paragjykuar vendimin që pritet ta marrë kushtetuesja, njohës i çështjeve kushtetuese, Albert Krasniqi, pohon se gjasat janë të vogla që të shpallet e pavlefshme vota e deputetit Arifi. E në rast se ndodh kjo, sipas Krasniqit, vendimet e qeverisë do të mbeten të plotfuqishme.

“Nëse do të anulohej mandati i deputetit Arifi, nuk do të duhej të anuloheshin vendimet në të cilat deputeti Arifi ka marrë pjesë. Unë nuk besoj se Gjykata do të marrë një vendim të tillë, për shkak se deputeti Arifi vazhdon të jetë akoma deputet.

Është certifikuar në mënyrë të ligjshme nga KQZ-ja. Është verifikuar mandati i tij nga Komisioni për Mandate, Imunitet dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, dhe kjo nuk është kontestuar nga Vetëvendosje”, tha ai. Krasniqi tutje pohon për Radio Kosovën se edhe në rastin kur Kushtetuesja kishte konstatuar se ish presidenti Pacolli ishte zgjedhur në mënyrë jo kushtetuese, vendimet e marra nga ai, nuk janë shfuqizuar. E nëse Gjykata Kushtetuese vendos se votimi i qeverisë Hoti nuk ishte konform kushtetutës, Krasniqi pohon se ajo çka mund të bëhet është përsëritja e votimi për zgjedhjen e e qeverisë Hoti.

“Pati aty në seancën dëgjimore të Gjykatës Kushtetuese edhe kërkesë që procesi i zgjedhjes së qeverisë të kthehet para dekretit të presidentit, gjë e cila nuk mund të bëhet, për shkak se presidenti ka nxjerr një dekret dhe është vlerësuar kushtetutshmëria e atij dekreti dhe nuk mund të kthehet para asaj periudhe, e në këtë rast çka mund të ndodhë është vetëm rivotimi për qeverinë Hoti’, tha ai.

Pas zgjedhjes së qeverisë Hoti, me 61 vota pro, e cila pasoi qeverinë Kurti të shkarkuar më 25 mars me 82 vota, partia më e madhe në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje, i është drejtuar Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së votës së deputetit të Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, Etem Arifi, me pretendimet se vota e tij është e pavlefshme, pasi i njëjti në kohën e votimit ishte i dënuar me burg.