Gjykata Speciale ka intervistuar rreth 100 persona në Hagë

26.09.2019 19:01:29

Prokuroria Speciale për krime të luftës në Kosovë, me seli në Hagë, që nga dhjetori i vitit 2018 e deri më tash, sipas të dhënave të Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka intervistuar rreth 100 persona, ndërkaq që ekspertët e çështjeve juridike penale ndërkombëtare, vlerësojnë që kjo prokurori është duke punuar me dinamikë të shtuar.

Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se shumica e të intervistuarve deri më tash, gjatë luftës kanë qenë civilë, ndërkaq numri i ish -pjesëtarëve të UÇK-së të intervistuar, të cilët i janë paraqitur kësaj organizate, është më i vogël.

“Ata që na janë lajmëruar neve, deri më tash, janë afër 100 persona që janë ftuar në Gjykatën Speciale, prej të cilëve ka në cilësinë e dëshmitarëve, por ka edhe në cilësinë e të dyshuarve. Deri më tash, neve që na janë lajmëruar, janë 7 persona që kanë qenë pjesë e luftës”, thotë Gucati.

Ai shton se nuk ka të dhëna të sakta lidhur me numrin e personave që janë ftuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e dëshmitarëve dhe të atyre që janë ftuar në cilësinë e të dyshuarve.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që njihen ndryshe si Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, është funksionalizuar në tërësi në korrik të vitit 2017, por vetëm në dhjetor të vitit 2018, Prokuroria e Speciale ka nisur të intervistojë personat e parë të ftuar.

Deri më tash, Zyra e Prokurorit të Specializuar, nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me numrin e saktë të personave të intervistuar, në çfarë cilësie janë intervistuar, si dhe kur mund të pritet aktakuza e parë.

Ismet Salihu, profesor i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, thotë për Radion Evropa e Lirë se dinamika e intervistimeve në 9 muajt e fundit është shtuar dhe tashmë pritet që Gjykata Speciale të ngritë akuzat e para.

“Është e qartë se dinamika është intensifikuar, që do të thotë se kjo gjykatë, tani së shpejti, do të ngritë edhe akuza ndaj atyre për të cilët pretendohet se kanë prova, fakte dhe argumente. Kjo është lidhur me punën e deritanishme, ndërkaq, e dyta, këta që kanë ftesa, është mirë që të mos i refuzojnë ato”, thekson Salihu.

Ai lavdëron Organizatën e Veteranëve të Luftës të UÇK-së, e cila u ka bërë ftesë të gjithë të ftuarve për intervistim nga Prokuroria Speciale, që të mos i refuzojnë ftesat.

Kryetari i kësaj organizate, Gucati, thotë se deri më tash, janë dy persona, të cilët kanë refuzuar t’u përgjigjen ftesave të tilla. Sipas tij, Remzi Shala nga komuna e Suharekës, pati refuzuar një ftesë të tillë, ndërkaq, personin e dytë kanë arritur ta bindin që t’i përgjigjet kësaj ftese.

“Remziu (Shala) nga Suhareka ka qenë, ka pasur pseudonimin ‘Molla e Kuqe’ dhe ai pati refuzuar ftesën. I dyti që ka refuzuar, është Bashkim Gashi. Por, Bashkimin e kemi ftuar në organizatë, ku nënkryetari Nasim Haradinaj ka biseduar me të shumë gjatë dhe e ka bindur që është mirë që për hir të opinionit dhe për hir të luftës që t’i lajmërohet drejtësisë, që të mos thuhet se disa se ne jemi kundër drejtësisë. Ne nuk jemi kundër drejtësisë, por jemi kundër Gjykatës që është e njëanshme dhe këtë e kemi thënë gjithmonë. Nuk jemi kundër drejtësisë, kështu që Bashkimi ka pranuar të lajmërohet në gjykatë”, bën të ditur Gucati.

Megjithatë, profesor Salihu thotë se në rast se refuzohet ftesa e Prokurorisë Speciale për intervistim, qoftë në cilësinë e dëshmitarit, cilësinë e të dyshuarit apo edhe të akuzuarit, Gjykata Speciale ka autorizimin që t’i thotë Policisë së Kosovës që t’i sjellë ata.

“Në rast se Policia e Kosovës nuk e kryen këtë punë, atëherë këtë do ta kryejnë pjesëtarët e Policisë së EULEX-it. Nëse edhe EULEX-i nuk e kryen, atëherë do të angazhohen pjesëtarët e KFOR-it. Kështu që, gjithsesi duhet të ekzekutohet urdhri apo ftesa e Gjykatës Speciale. Asgjë nuk i kanë lënë rastit. Kjo duhet të përfundohet ashtu si është paraparë me ligj dhe ashtu edhe duhet të veprohet. Mund të merret si rrethanë rënduese për personin e caktuar në qoftë se nuk përgjigjet, ikë ose fshihet. Ai gjithsesi do të bjerë në dorë të Gjykatës Speciale dhe kjo rrethanë do të merret si rrethanë rënduese”, shpjegon Salihu.

Ndërkaq, në listat e kandidatëve për deputetë të partive politike, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, gjenden edhe emrat e disa prej personave të cilët janë intervistuar nga Prokuroria Speciale.

Ehat Miftari nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky institut ka bërë analizën e të gjitha listave të kandidatëve të propozuar për deputet nga partitë politike, në të cilat ka të përfshirë edhe persona që kanë probleme me ligjin në Kosovë, por edhe të ftuar nga Prokuroria Speciale me seli në Hagë.

“Nga ajo që kemi vërejtur si Institut i Kosovës për Drejtësi, së paku 3 kandidatë për deputet, në listat zgjedhore për zgjedhjet e 6 tetorit, janë intervistuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të dyshuarve, gjithmonë duke u bazuar në atë që e kanë thënë vetë personat, të cilët janë intervistuar. Në cilësinë e dëshmitarëve janë ftuar 4 persona”, thekson Miftari

Prokuroria Speciale, nga dhjetori i vitit të kaluar e deri më tash, ka intervistuar disa nga ish-figurat e larta të UÇK-së, të cilët pas luftës kanë qenë dhe janë pjesë e skenës politike të Kosovës, sikurse Rrustem Mustafa, Sami Lushtaku, Shukri Buja dhe së fundi edhe kryeministri në largim, Ramush Haradinaj.

Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, është përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011.

Në atë raport flitet për krimet e pretenduara se i kanë bërë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 e deri në vitin 2000.