Gjykata Speciale, përplasen veteranët me Lëvizjen Vetëvendosje

19.10.2019 10:08:20

Lëvizja Vetëvendosje ishte kundër themelimit të Gjykatës Speciale ku edhe po intervistohen ish-pjestarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shpesh, lideri i kësaj lëvizje që tash është edhe fitues i zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, Albin Kurti ka deklaruar se e njëjta duhet të shfuqizohet.

E në lidhje me këtë, kryetari i Organizatës së Veterantëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati është shprehur se Kurti duhet të mbajë premtimin e tij.

Kjo deklaratë i ka rënë në sy e nuk i ka pëlqyer aspak zyrtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Zogiani.

Ky i fundit përmes një postimi në Facebook ka sulmuar Gucatin duke i thënë se ai votën e tij e ka dhënë për ata që e kanë fuqizuar Gjykatën Speciale.

“Gucati i kerkon Albinit shfuqizimin e Gjykates Speciale… me e pyet Gucatin per ke ke votue, jam i sigurte se, po qe i sinqerte, thote, per ata qe e kane sjelle Gjykaten Speciale! Po ikni atje!”, kishte shkruar ai në një postim në Facebook.

Kësaj i është përgjigjur kryetari i OVL-UÇK, Gucati duke thënë se mbajtja e premtimeve është obligim i secilit.

“Në mbrojtje të “babes” paska reagu Avni Zogiani nga Fushë Kosova dhe qenka përpjekë me ma mbyll gojën me faktin se për kend kam votu unë! Mbajtja e premtimeve është obligim i secilit e edhe i Albin Kurtit! Pavarësisht për kë kam votuar unë (këtë nuk e fshehi hiq, por kjo për çka po flas nuk ka aspak rëndësi).”, ka shkruar Gucati.