Gjykata Themelore Prizrenit denon hajnin e një pompe benzine në Dragash

25.02.2019 14:07:44

Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i krimeve të rënda, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një muaji ndaj të pandehurit me iniciale O.M. nga Brodosana, Komuna e Dragashit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale, të grabitjes nga neni 329 par.1.të KPRK-së.

“Masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës së arrestimit 21.02.2019 e cila do të zgjasë deri me datën 23.03.2019. Nga shkresat e lëndës rrjedhë dyshim i bazuar se në ditën kritike me datën 20.02.2019 rreth orës 23:20, në fshatin Bellobrad, Komuna e Dragashit, duke përdorur forcën apo kanosjen serioze i maskuar me një çorapë të zezë në kokë si dhe duke pasur me vete një thikë, përvetëson pasurin e luajtshme të personit tjetër me qëllim që vetes t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme në atë mënyrë që hynë në pompën e benzinës “Ari Petrol” dhe kur e vëren të dëmtuarin i cili ka qenë në cilësinë e rojtarit fillon duke i bërtitur dhe duke i kërkuar para, me ç‘rast me thikë në dorë, e godet viktimën dy herë në pjesën e majtë të shpinës, pas së cilës i njëjti merr një sasi të caktuar të parave dhe largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur pas së cilës viktima – i dëmtuari është dërguar me automjetin e ambulancës në Spitalin Rajonal të Prizrenit ku edhe iu është dhënë ndihma e parë”, thuhet në njoftimin e kësaj gjykate.