Shqipëri/ Gjykatat bosh, Basha-Ramës: Shejtanët të duhen për mbrojtjen e kriminelëve

24.07.2018 15:18:20

Vettingu dhe ligji i Magjistraturës i kanë hedhur benzinë zjarrit që karakterizon politikën shqiptare, duke prodhuar akuza dhe kundërakuza mes të majtëve dhe të djathtëve për bllokim apo kapje të reformës së drejtësi.

Teksa për kryeministrin Edi Rama mbetja bosh e Gjykatave është gjë e mirë pasi i ngjan “djepit bosh pa shejtanin brenda”, këtë pastrim të drejtësisë nuk e sheh me të njëjtin këndvështrim rivali i tij Lulzim Basha.

Me anë të një postimi në Facebook që e shoqëron me foton e Ramës si “pengmarrësi” i drejtësisë, Basha i drejtohet kryeministri duke thënë se “djepi bosh i Gjykatës Kushtetuese i duhet kryeshejtanit për të mbrojtur mega aferën 200 milionë Euro me grabitjen e Teatrit Kombëtar”.

Dhe me debatin e shtrirë në gjirin e “demonëve” Basha vazhdon duke thënë se “shejtanët në djepin e Prokurorisë i duhen Ramës për të mbrojtur lidhjet me krimin dhe aferat korruptive, nga Tahiri te Xhafaj, nga Dako te Veliaj, nga Gjiknuri te Ahmetaj, nga Sejdini te Roshi me shokë”.