Gjyqtari e penalizon, Barca ngec ndaj Betis (foto)

29.01.2017 20:34:51

Barcelona bën harakiri në Benito Villamarin. Pas 5 fitoreve rradhazi mes kampionatit dhe Kupës së Mbretit, skuadra e Luis Enriques ndali hovin triumfues pikërisht në Andaluzi përballë Real Betis duke mos shkuar më shumë se një barazim 1-1. Tashmë misioni për të mbrojtur titullin në La Liga bëhet gjithnjë e më i vështirë për Barcelonën që pas këtij hapi fals, u ngjit në kuotën e 42 pikëve. Një barazim i arritur vetëm në fund nga blaugranat falë një goli të Luis Suarez në të 90-tën, por nëse nuk do të ishte për atë gol të mos akorduar nga gjyqtari menjëherë pas avantazhit të Betis-it, Barca do të ishte larguar me një tre pikësh shumë të cmuar nga qyteti i Sevillias. Ndeshja nuk nisi edhe aq mirë për Barcelonën që në minutat e para vuajti jo pak presionin e skuadrës së Victor Sanchez. Në të 19-tën Ter Stegen bëri shpëtimtarin duke ndalur një tentativë nga distanca të Daniel Ceballos. Në të 30-tën iu afrua golit edhe Ruben Castro, ndërkohë që fraksioni i parë i lojës u mbyll me një superpritje të Adan ndaj Neymar në të 39-tën.

Në pjesën e dytë Real Betis bëri gjithcka për të marrë avantazhin. Në të 73-tën Ceballos me goditjen e tij nga distanca u ndal nga traversa. 1 minutë më pas shtylla i tha jo golit të Ruben Castros për të ardhur te  goli e avantazhit të cilin Real Betisin e gjeti me Alex Alegrian në të 75-tën. Një finalizim që bëri të shpërthene alegria në Benito Villamarin. Por vetëm një minutë më pas,Barcelonës iu mohua padrejtësisht nga gjyqtari një gol i rregullt, që mund të vendoste baraspeshën dhe ti mund ti hapte rrugën suksesit të Barcës në këtë takim. Krosim i Aleix Vidal me Jordi Albën që arriti ta devijonte topin i cili e kaloi me plot 30 centimetra vijën fatale, përpara se të largohej nga Mandi, por për gjyqtarin Hernandez nuk ishte gol. Protesta të shumta nga ana e lojtarëve e Barcelonës të cilët kërkuan moviolën në fushë pasi bëhej fjalë për një episod që mund të ndryshonte fatin e ndeshjes, por kryesori lejoi vazhdimin e lojës. Golin e barazimit Barcelona e gjeti gjithsesi në minutën e 90-të kur Messi mes 4 kundërshtarëve nxorri të lirë përpara Adan me një pasim perfekt Luis Suarez-in, i cili nuk fali duke fiksuar rezultatin përfundimtar të këtij takimi në 1-1.