Goditja e fortë e gjeneralit Clark ndaj hilesë së Hashim Thaçit për ushtrinë

16.05.2018 12:55:40

Nga Rexhep Kastrati

Gjenerali Clark, përveç mesazheve të tjera, për Kosovën ka përcjell edhe një mesazh të fuqishëm që duhet të kuptohet shumë drejt dhe të shërbejë si një këshillë më shumë se miqësore: sa ta keni KFOR-in investoni në zhvillimin ekonomik,  e jo në ushtri!

Me këtë mesazh, gjenerali Clark ka bërë të qartë se më urgjente dhe më e rëndësishme për Kosovën është ekonomia, përkatësisht zhvillimi ekonomik, sesa transformimi i FSK-së në FA, duke rrëzuar kështu nxitimin e madh që ka hashim Thaçi për ta bërë këtë të fundit, madje edhe në kundërshtim me procedurat kushtetuese.

Në fakt, një mesazh të afërt me këtë të gjenerali Clark, ka pas përcjellë edhe ish-sekretari i Shtetit, John Kerry, i cili gjatë qëndrimit të shkurtër në aeroportin e Prishtinës, më në dhejtor 2015, kishte thënë se për sovranitetin e Kosovës kujdesen SHBA-të, kurse ju luftonie korrupsionin dhe realizoni zhvillim ekonomik!

Si mesazhi i ish-sekretarit të Shtetit, John Kerry, ashtu edhe ky i gjeneralit Clark, bazohen si në kompetencat e KFOR-it në fushën e sigurisë, ashtu edhe në nevojën e madhe që ka Kosova për t’u përqendruar në zhvillimin ekonomik. Në fund të fundit, një vend me ekonomi të dobët, nuk do të jetë në gjendje të mbajë si duhet një ushtri, pasi që ushtria kërkon investime të mëdha, madje shumë më të madhe sesa që e kanë vendet anëtare të NATO-s, si përqindje e PPB-së.

Atëherë pse ky nxitimi i Hashim Thaçit për të shkelur madje dhe procedurat kushtetuese për FSK-në? Pse është politizuar dhe medietizuar kaq shumë kjo çështje?

Përgjigjen në këto pyetje duhet kërkuar në vitin 2014, në të cilën kohë, Hashim Thaçi pretendonte dhe pretendon se kishte siguruar konsensusin e kuvendarëve serbë në Kuvendin e Kosovës për ndryshimet kushtetuese për transfomimin e FSK-së në FA, pa emërtimin Republikë, me kusht që t’u vazhdoheshin vendet e rezervuara edhe për një mandat. Madje ai, por edhe të tjerë pas tij patën akuzuar LDK-në dhe kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa se me kundërshtimin për vazhdimin e vendeve të rezervuara për komunitetet në Kuvendin e Kosovës, ka bërë të mos bëhet transfomimi i FSK-së në FA.

Edhe pse ishte dhe mbetet iluzore se serbët e Kosovës do të jepnin konsensusin e tyre çpër ndryshimet kushtetuese për transfomimin e FSK-së në FA veç me vazhdimin e vendeve të rezerevuara, megjithatë, një mashtrim i tillë vazhdoi gjatë viteve, madje u fuqizua gjatë vitit të kaluar kur hashim Thaçi mbrapa krahëve të kryeministrit Mustafa, dhe mbrapa krahëve të aleatëve tanë strategjikë në krye me SHBA dhe NATO-n, kishte negociuar me Vuçiqin çështjen e ushtrisë së Kosovës.

Ky fakt hedh dritë dhe sqaron edhe të vërtetën për konsensusin e serbëve gjatë vitit 2014 për transfomimin e FSK-së, duke bërë të qartë mundësinë që negociata të fshehta të jenë bërë edhe këtë çështje me Daçiqin apo edhe me ndonjë zyrtar tjetër të lartë të Serbisë.

Pra, çështja e transfomimit të FSK-së në FA ka qenë temë negociatash, por edhe i ndonjë marrëveshjeje të fshehtë për mënyrën, strukurën dhe kompetencat e ushtrisë së ardhshme të Kosovës. Dhe pjesë e kësaj marrëveshjeje mund të jetë që serbët e Kosovës të kenë një strukurë të tyre ushtarake, e cila do të ishte përgjegjëse për sigurinë në komunat me shumicë serbe dhe që do të ishte në autoritetin e Asociacionit të atyre komunave.

Me fjalë të tjera, mbrapa nxitimit të Hashim Thaçit për çështjen e ushtrisë, mund të fshihet edhe fakti që kjo çështje të jetë në një pako me themelimin e Asociacionit, pra që serbët të japin konsensusin për ndryshimet kushtetuese, bashkë me ndryshimet kushtetuese për çështjen e asociacioneve në Kosovë, pra që krahas ndryshimeve kushtetuese për transformimin e FSK-së në FA, të bëhen edhe ndryshime të tilla kushtetuese që Asociacionit do t’i jepte kompetenca ekzekutive.