“Golgotha Shqiptare”, si u gjet libri i holokaustit ku tregohet që serbët vranë 500 000 shqiptarë

26.02.2019 22:38:49

Leo Freundlih, hebreu që protestoi kundër zhdukjes masive të shqiptarëve nga serbët në vitet 1912-1913. Holokausti mbi shqiptarët . Serbët vranë 500 000 njerëz 

Libri i tij “Akuza që ulërijnë” dëshmia e parë për shfarosjen kolektive të një populli evropian para atij Ebraik. Masakrat që ndërmorën serbët në trojet shqiptare. Mbi 250 mijë shqiptarë të masakruar vetëm në veriun etnik të Shqipërisë gjatë vjeshtën e vitit 1912. 

Kopja e vetme e librit të Freundlih “Akuza që ulërijnë”, i cili përmban protestën ndaj Evropës që nuk reagoi në mbrojte të shqiptarëve gjatë zhdukjen masive të pjesës më të madhe të popullit shqiptar në Ballkan, është gjetur në bibliotekën e Universitetit të Harvardit në SHBA, në vitin 1982 nga studiuesja Safete Juka, me banim në Amerikë. 

Shkrimtari hebre Leo Freundlih me banim në Vjenë, është njëri ndër intelektualët e pakët që mbajti koleksionin e të gjitha gazetave të mëdha të kohës që tregonin mbi shfarosjen e së paku një gjysëm milioni shqiptarëve nga serbët në vitet 1912-1913. I revoltuar ai ngriti zërin e tij kundër asaj që ai e quajti “Golgotha Shqiptare”, e që u shoqërua nga masakra të atij tipi që nuk i kishte njohur bota më parë. “Unë e dënoj dhunën që ushtrohet padrejtësisht ndaj çdo populli. Ai që nuk bën kështu sot, të mos çuditet nëse nesër edhe ai vetë do të bëhet viktimë e një Golgothe tjetër” – thotë shkrimtari hebre. Vetëm pas 10 vjetësh, pikërisht në vitin 1992, ky libër njohu botim në tri gjuhë, në saj të ndihmës së jashtëzakonshme të gjermanit Hans Peter Rullman me banim në Hamburg. Botimi në anglisht u bë në saj të zotit Steve Tomkin, kroat i lindur në Kosovë. Në kroatisht libri i përkthye dhe u botua nga mjeku Dr. S Leban, i lindur në Bosnje. Ndërkohë që përkthimin në shqip e realizoi Riza Lahi, nën sponsorimin e Xhafer Kastratit nga Kosova dhe përkujdesjen e shtypshkronjës “Eurorilindja” në Tiranë

Serbia, “macja që kërkon të behet luan”

Pas traktatit të Shën Stefanit mes Turqisë që humbi luftëra të njëpasnjëshme dhe Rusisë fituese, kombi shqiptar u vu në rrezik të jashtëzakonshëm, pasi aleatja ballkanike e perandorisë së Carëve Serbia, kërkoi të zgjeronte zotërimet e veta për tu kthyer në një fuqi ballkanike dhe evropiane, megjithëse kishte një popullsi vetëm 900 mijë banorë. Por nëse deri në vitin 1911 synimet ruse dhe serbe në Ballkan do të dështonin, kjo nuk erdhi për meritë të Perandorisë Turke nën të cilën ndodhej Shqipëria, por thjesht nga fakti që shqiptarët me anë të Lidhjes së Prizrenit më 1878 nuk e lejuan një gjë të tillë dhe e kundërshtuan me armë. Që nga viti 1906 deri në vitin 1912, një sërë kryengritjesh për pavarësi të shqiptarëve, kryesisht në veri të trojeve etnike shqiptare, u shtypën me dhunë dhe barbari nga na e ushtrive turke.

Me fillimin e luftës ballkanike, Shqipëria ishte gjysmë e shkretuar dhe trupat serbe, në emër të luftës kundër Perandorisë Osmane, ndërmori një sërë pushtimesh të cilët i shoqëruan me masakra masive kundër një popullsisë krejtësisht të paarmatosur, ku sipas shtypit evropian humbën jetën 250 mijë shqiptarë. Ndërkohë ka të dhëna të sigurta se shifta mund të jetë edhe një gjysmë milioni. Nga 180 mijë kilometra katrorë, me një popullsi rreth 2 milionë banorë që numëroheshin brenda territoreve shqiptare në fund të shekullit të XIX, në vitet ‘ 30 kishin mbetur territore shqiptare vetëm 80 mijë km katrorë, dhe këto në pjesën më të madhe jashtë shteti shqiptar. Sipas historianëve të kohëve moderne, ekspasioni sllav që u shoqërua dhe me shpërngulje masive dhe zhdukje të popullsive etnike të vendeve të mësipërme, që njehsohej me ekpansionin komunist më vonë i mori popujve gjermanë, hungarezë, shqiptarë, rumunë, armenë etj territore të cilat kapnin sipërfaqen rreth një milionë kilometra katrorë nga të cilat një dhjeta i takonin territoreve shqiptare. Etnia shqiptare në prag të shkatërrimit të perandorisë së kalbur Osmane humbi më shumë se gjysmën e territoreve të veta. Zona e Tivarit, e Hotit, e Grudës, e Pazarit të Ri, Sanxhakut (Novipazarit) Nishit, Rrethinat e manastirit, shtoju këtyre edhe humbjen e krahinave të Janinës dhe të Çamërisë, të cilat u shpopulluar ose u asimiluan me forcë nga Greqia, përbëjnë edhe fushatën më të egër antishqiptare të ekspansionit sllav kundër popullit më të vjetët në Ballkan dhe Evropë. Njëri ndër libra që hedh dritë mbi shpërnguljet masive të shqiptarëve është edhe libri historik i Leo Freundlich “Golgotha shqiptare” Dëshmitare e krimeve të serbëve në vitin 1912-1913 ka qenë edhe “Nënë Tereza”, atëherë fëmijë. Ajo pa me sytë e saj sesi serbët i helmosën të atin, ndërkohë që anëtarët e tjerë të familjes shpëtuan duke u arratisur në drejtim të Tiranës.


Shqiptarët në holokaust para Hebrenjve
( Shënime të gazetarit gjerman Hans Peter Rullmann)
Më 1913, të dielën e pashkëve, sa pa shpërthyer Lufta Ballkanike një shkrimtar vienez, Izraeliti Leo Frojdlih botoi një libër të titulluar “Akuza që ulurijnë” (Accusation Records). Në të përfshihen dokumeta akuzuese të cilat rrëfejnë barabarizmat masive të bëra nga Serbët në krahinat shqiptare të veriut jo më larg se 80 vite më parë, ose më saktë rreth 30 vite më parë se të ndodhte lufta e dytë botërore. Holokausti i parë Evropian është planifikuar dhe zbatuar nga Serbia kundër popullit shqiptar. Leo Frondlih përshkruan ngjarjet nga mezi i tetorit 1912 deri në marsin e vitit 1913. Në një periudhë kohe më pak se pesë muaj ushtria dhe bandat çetnike serbe “egërisht dhe në mënyrën më antihumane që ka shfaqur ndonjëherë çizmja e pushtuesit, bëri barbarizma që nuk kanë të përshkruar. Me qindra e mijëra burra të paarmatosur, të therur, gra të përdhunuara, pleq të mbytur, me qindra gra të djegur dhe të rrafshuar për tokë”. Gjatë luftërave evropiane të shekullit të XVIII dhe XIX , nuk ka pasur asnjëherë synime për shfarosjen kolektive të ndonjë kombi. Në rastin më të keq, një vend orvatej për të pushtuar një vend tjetër. Përpara luftës serbe kundër shqiptarëve më 1912, askush nuk është përpjekur për të zhdukur një popull të tërë. Në vitin 1912, kur mbi shqiptarët po ndodhte katastrofa e madhe, Frojndlih kishte një parandjenjë se sundimi serb kundër ekzistencës së një kombi të tërë, kishte përmasat e një sinjali historik. Ai ishte i vetëdijshëm se ky kthim i papritur kundër qytetërimit dhe shpirtit human, siç kishte nisur Serbia nuk do të venitej aspak në të ardhmen, në qoftë se bota nuk do të ndëshkonte popull në mënyrë të menjëhershme. 


Freundlih përshkruan masakrimin e shqiptarëve
Mënyra sesi ushtria serbe, veproi më 1912-1913 ndaj shqiptarëve gjatë luftës ballkanike, përbën edhe rastin e parë të një zhdukje masive të një populli nga një popull tjetër. Megjithëse Mbretëria Serbe u njoftua se Komisioni Ndërkombëtar i kufijve, menjëherë sapo situata të qetësohej do të niste punë për përcaktimin e kufijve, ushtria e këtij shteti nuk i njohu paralajmërimet e fuqive të mëdha dhe vazhdoi pushtimin e territoreve jo serbe. Më 22 tetor të vitit 1912, këmbësoria serbe pushtoi qytetin e Prishtinës në Kosovë. Më pas ajo vazhdoi sulmin në dy drejtime. Nga krahu i Shkupit dhe tjetri nga Prizreni për tu futur në drejtim të luginës së Drinit të Zi. Pas një muaji, më 20 nëntor 1912 serbët pushtuan edhe gati gjithë Shqipërinë e veriut dhe më 29 nëntor 1912 pararoja e kësaj ushtrie u vendos në Durrës. Lufta e serbëve kundër shqiptarëve, nuk kishte karakter pushtues, por shumë më tepër. Ajo mori karakterin e spastrimit etnik, dhe synonte që brenda një kohe të shkurtër ti tregonin Botës se shqiptarët qenë zhdukur nga Ballkani. Pikërisht për këtë arsye eta i quanin shqiptarët turq dhe me këtë justifikim ose i shpërngulnin ose i masakruan. Frojdlih i përshkruan masakrat e serbëve në vjeshtën e vitit 1912 – pranverën e ’13 në trojet shqiptare, Kosovë, Maqedoni kështu: “Me qindra e mijëra kufoma të masakruara notonin në rrjedhat e lumenjve. Ata që mundin ti shpëtonin sëmundjeve, urisë, plumbave të pushkëve të këmbësorisë dhe gjyleve të artilerisë serbe, grumbulloheshin në vende të caktuara dhe u jepej nga një plumb kokës. Më zi e pësonin ato që fshiheshin në shtëpitë e tyre. Pas kontrolleve të imta që bëheshin për plaçkitje dhe florinj, gjendeshin lehtë dhe thereshin si berrat. Torturat më të mëdha i pësonin gratë shqiptare, të cilët përdhunoheshin, lidheshin më pas, bëheshin kapicë, mbuloheshin me kashtë dhe digjeshin të gjalla. Në rast se ata ishin shtazana, ju çahej barku me bajonetë dhe pasi u nxirrej fëmija nga barku vendosej në majë të bajonetës apo të hunjve. Pas masakrimit serbët pinin vere, këndonin dhe hidhnin valle. Kishte raste që ata gjatë therjes mblidhnin gjakun në kupa dhe e hapnin gostinë me të”. 


Pas krimeve, Edit Durham nis e urren serbët
Gjatë kohës që në Shqipërinë etnike, shqiptarët masakroheshin në shtëpitë e tyre, anglezja Mery Edit Durham, punonte për “Macedonia Relief Organisacion”. Kur shkeli për herë të parë në Ballkan, historiania dhe antropolog’ja Angleze ishte admiruese e popullit serb, si shumë njerëz të tjerë në perëndim. Por siç vëren anëtari i Parlamentit Anglez Aubrey Hernert “ishte vetëm mizoria e serbëve që e ktheu dashurinë e saj në përbuzje”. Pas masakrave të njëpasnjëshme, ajo vendosi të dalë hapur kundër serbo-malazezëve: ” E mbështolla medaljen e florinjtë që ma kishte dhënë Krajl Nikolla duke e bërë të qartë se nuk mund të pranoja një medalje nga ata që kishin miqësi me Abdul Hamidin dhe merrnin dekoratat dhe paret e tij. Unë e kam kuptuar, i shkruan Durham krajlit Malazez se pasuesit e tu, janë shumë më mizorë sesa turqit, dhe unë nuk mund ta mbaj më për asnjë çast dekoratat e përlyer me gjak të pafajshmish”. Vendimin e saj ajo ai komunikoi shtypit anglez dhe austriak. Meqenëse nuk kishte mundësi për të takuar Mbretin ser Petër, ajo i tha shtypit anglez se do të ruante rastin e përshtatshëm për t’ia kthyer urdhrin e “Shën Savës” që në takimin e parë.

Të dhëna mbi shqiptarët, para masakrave serbe
Ami Bue, botanist, gjeograf dhe gjeolog Francez, i lindur në qytetin Hamburg të Gjermanisë në fillim të Shekullit të XIX, gjatë viteve 1836 –37 ndërmori një udhëtim në Ballkan, i cili në atë kohë i përkiste Perandorisë së madhe Turke. Pas kthimit në Gjermani më 1840, Bue përmblodhi në katër volume, secili me nga 400 faqe të mëdha, përshtypjet e tija të udhëtimit në Evropën Juglindore. Saktësia shkencore e tij, pati një vlerësim të jashtëzakonshëm edhe nga vetë serbët . Akademiku Aleksandër Beliç shkroi se “Librat e Buesë janë një enciklopedi e vërtetë, e cilat nuk mund të krahasohen nga saktësia me asnjë botim tjetër të këtij lloji”. Sipas shkencëtarit, Serbia në gjysmën e parë të shekullit të XIX ka pasur më pak se 900 mijë banorë, kurse Shqipëria mbi 1 milionë e 600 mijë banorë. Në analizat e tij gjeografike Shqipëria etnikisht e pastër ka qenë një hapësirë me rreth 180 mijë kilometra katrorë. Në gadishull- gjithmonë sipas tij – kishte shumë më tepër Shqiptarë sesa Grekë dhe së paku dy herë më shumë shqiptarë sesa Serbë. 

Kronologjia e krimeve serbe ndaj shqiptarëve
Pranverë 1912 : Rreth 6 mijë familje shqiptare shpërngulen me forcë nga zona e Nishit në drejtim të Turqisë. Po në këtë kohë nisin masakrat e malazezëve në krahinat shqiptare të Hotit e Grudës.
12 nëntor 1912: “Dejli Chronicle” shkruan se 2 mijë shqiptarë në krahinën shqiptare të Shkupit dhe 5 mijë në afërsi të Prizrenit janë therur në mënyrë masive.
Dhjetor 1912 – Gazeta pariziene “Humanite” shkruan se në Drenicë dhe Palikurë u mbytën të gjithë banorët. Në këtë vend është zbuluar një vargan varresh masive, një pjesë e të cilëve si gurë varri kanë kafka njerëzish. Në fund janë varret e atyre që janë djegur të gjallë. Gjatë masakrave 31 fshatra dhe qytete shfarosen krejtësisht.
1913 : Masakrohen 300 shqiptarë në krahinën e Lumës. Gazeta gjermane FRANGFURTER ZEITUNG shkruan se fëmijët u dogjën në kashtë në sy të prindërve, dhe më pas u masakruan prindërit me batare pushkësh dhe bajoneta
Pranverë 1945- vriten 40 mijë shqiptarë në krahinë e Kosovës, me pretekstin ser ishin antikomunistë dhe të shitur në perëndim.
1930 – përfundon asimilimi me forcë i gjithë shqiptarëve të Sanxhakut 
1949-50- Largohen forcërisht nga zonat kufitare Kosovë Lindore serbi rreth 300 mijë shqiptarë, pas një marrëveshje turko-jugosllave. 
1989- Helmohen në sholla fillore nga ushtria serbe mbi 6000 fëmijë të vegjël shqiptarë.
Mars 1998, masakrohen 32 banorë të fshatit Raçak në Kosovë
Mars – Qershor 1999, gjatë luftës në Kosovë, përzihen nga shtëpitë e tyre 1 milionë shqiptarë dhe vriten mbi 12 mijë gra, burra, fëmijë dhe pleq.
2000 -Kosova Lindore ( Preshevë, Medvegjë – Bujan), vazhdon të mbetet e pushtuar prej Serbisë, nën shtetërrethim. Mbi 300 shqiptare janë vrarë nga vera e vitit 1999 deri në verën e vitit 2000 në këtë krahinë.