Goli i Xhakës mposht Izraelin, Shqipëria e nis me fitore Ligën e Kombeve

07.09.2018 23:57:57

Shqipëria e nisi me fitore Ligën e Kombëve, teksa mposhti Izraelin me rezultatin 1-0. Mrekullitë e Thomas Strakoshës dhe një gol për t’u vendosur në vitrinë i Taulant Xhakës, rikthyen Shqipërinë në rrugën e duhur dhe larguan hijet e shkarkimit për trajnerin Christian Panucci. Kuqezinjtë e nisën me këmbën e mbarë kompeticioni më të ri në rang përfaqësuesesh pasi mposhtën 1-0 Izraelin në Elbasan Arena.

Thomas Strakosha ishte heroi i padiskutueshëm i Shqipërisë në këtë sfidë me pritjet e tij shpëtimtare që ruajtën portën e kuqezinjëve të paprekur por edhe Taulant Xhaka rezultoi deçiziv me golin e tij. Rikthimi i gardës së vjetër i dha të drejtë Panuccit pasi aktivizimi i Bashës, Memushajt dhe Xhakës në mesfushë i ndryshoi fytyrën Shqipërisë që dinte të menaxhonte si duhet situatat kur kishte topin në këmbë. Në minutën 7-të Sindrit Guri iu afrua shumë golit të parë me fanellën kuqezi por e ndali portieri i Izraelit.

Në minutën e 30-të Strakosha tregoi të gjitha cilësitë e tij duke evituar një gol të sigurtë pas gabimit të mbrojtësve kuqezi, me gardianin e Lazios që fillimisht ndali goditjen e Kajal nga shumë afër dhe në vazhdimin e aksionit bëri një tjetër pritje të shkëlqyer.

Në të 38-ën tentativa e Memushajt mori kundërpërgjigjen e portierit Haimov. Në të 41-ën një gabim i rëndë i Gjimshitit në kthimin e topit u duk sikur i dhuroi golin e avantazhit miqëve, por Strakosha bëri mrekullinë duke i hequr topin nga këmbët Eran Zahavit kur po i drejtohej vijës fatale.  Me rezultatin 0-0 u mbyll pjesa e parë ndërkohë që pjesa e dytë nisi me një zëvendësim te kuqezinjtë, me Balajn që mori vendin e  Gurit.

Minuta e 55-të vendosi dhe fatet e kësaj sfide, një kundërsulm i shpejtë i kuqezinjëve u shfrytëzua në maksimum nga djemtë e Panuccit, me Xhakën që gjeti goditjen fituese nga limitet e zonës duke kaluar në avantazh kuqezinjtë. Pak çaste më vonë Balaj për pak sa nuk dyfishoi me kokë. Në të 62-ën një sprint i frikshëm i Xhakës i dha mundësinë Shqipërisë të shënonte edhe golin e dytë, por goditja e Hysajt pas pasimit të mesfushorit të Baselit, për fare pak përfundoi jashtë. Në minutën e 75-të portieri i Izraelit i mohoi golin Hykës ndërsa në minutat e fundit Strakosha u bë sërish protagonist me pritjet e tij, duke mbajtur portën të paprekur.

Në Elbasan Arena edhe pse nuk kishte shumë tifozë, ata që ishin të pranishëm u bënë krenarë me Shqipërinë që e nisi me fitoren grupin 1 të Ligës C në Ligën e Kombeve. Tashmë vëmendja shkon te sfida e të hënës ndaj Skocisë.