Goran Rakiq mbron strukturat mafiozo-politike në veri? Çka po përgatitet?

27.01.2018 15:11:17

Nga Rexhep Kastrati

Goran Rakiq që është edhe kryetar në veri të Mitrovicës, edhe kryetar i Listës “Srpska” që ka monopolizuar të drejtën e përfaqësimit të serbëve të Kosovës, si dhe të jetë vazhdimësi e Qeverisë së Serbisë në Kosovë, paska thënë se nuk di që në veri ka strukura kriminale!

Në këtë mënyrë, Rakiq ka bërë një nga hapat më të gabueshëm politik dhe të sigurisë, pasi që është bërë jorgan i Zvonko Veselinoviqit, Milan Radojçiqit dhe shumë të tjerëve, që operojnë në veri të Kosovës, dhe kanë lidhje të shumta edhe me struktura mafiozo-politike shqiptare.

Me këtë, Rakiq, i ka dhënë një dimension të ri, ose ka konfirmuar informacionet për implikimin e shërbimeve sekrete serbe në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, pasi që sipas këtyre informacioneve, del të jetë Milan Radojçiq ai që qëndron mbrapa kësaj vrasjeje.

Nëse Zvonko Veselinoviq, Milan Radojçiq dhe të tjerët si këta nuk përfaqësojnë strukura kriminale, atëherë përfaqësojnë strukura shtetërore, ashtu siç më parë përfaqësonin “francky”, apo edhe paramilitarët e Arkanit dhe të tjerëve si këta, e që do të thotë se janë pjesë parapolitike dhe paramilitare të Qeverisë së Serbisë.

E nëse kihet parasysh se edhe Lista “Srpska” dhe në përgjithësi ato që quhen strukura paralele serbe janë pjesë të mekanizmit dhe strukurave të shtetit serb në Kosovë, atëherë del qartësisht se edhe strukurat që përfaqësojnë Zvonko Veselinoviqi, Milan Radojçiqi janë pjesë e tërësisë së mekanizmave dhe strukturave të shtetit serb. Më tej, kjo do të thotë se Zvonko Veselinoviq, Milan Radojçiq dhe Goran Rakiq përfaqësojnë praninë dhe veprimtarinë e shtetit serb në Kosovë.

Në këtë kontekst, është e qartë se për Goran Rakiqin, nuk ka struktura kriminale serbe, por ka struktura që implementojnë aksione, strategji dhe qëllime të dhunshme të shtetit serb në Kosovë.

Gjithsesi nuk duhet harruar lidhjen e strukturave mafiozo-politike shqiptare me strukturat mafiozo-politike serbe, e që kontrollojnë pjesën më të madhe të klasës politike në Kosovë dhe në rajon, e që nuk mund të mos rezultonte edhe me takimin e Ramushit me Radojçiqin fill pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, dhe në kontekst të informacioneve se po Radojçiq qëndron mbrapa vrasjes së Ivanoviqit.

Në fakt, ky takim do të duhej të hidhte dritë piklërisht mbi lidhjet që struktura mafiozo-politike shqiptare dhe serbe kanë me njëra-tjetrën, si dhe mbi skenarë të ndryshëm që lidhen me veriun dhe me Kosovën në përgjithësi.