Goranët e Kukësit si bullgarët e fundit

10.12.2016 13:36:30

Nga Azem Parllaku

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, disa muaj më parë u dekorua nga Presidenti i Republikës së Bullgarisë, Rosen Plevneliev, me urdhrin më të lartë të Republikës së Bullgarisë “Stara Planina” të Gradës së Parë, me motivacionin: “Per kontributin e tij të jashtëzakonshëm në forcimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve bullgaro-shqiptare”.

Bullgaria është vendi me nivelin më të ulët të jetesës brenda Bashkimit Europian, por ajo është kthyer në burim shprese për qindra banorë të zonës së Gorës në verilindje të Shqipërisë.

Përgjatë viteve të fundit, fshatra të tëra në Kukës janë zbrazur si rezultat i joshjeve që qasen prej sekserëve të cilët, këmbejnë njerëzit dhe paranë Tiranë-Sofje.

Të deklarohesh goran në Kukës, e të kesh kontaktin me Konsullatën Bullgare në Tiranë, e përmbush ëndërrën për të patur në dorë pasaportën e shtetit bullgar.

Nëntë fshatrat e zonës së Gorës në Kukës popullohen nga banorë që kanë trashëguar gjuhën sllave të ngjashme me atë maqedonase, e që mendohet se janë ngulur aty mes shekujve XI dhe XIII, kohë kur Bullgaria u përfshi nga lëvizja bogomile, që banorët e shqipërojnë “të dashurit e Zotit”.

Përgjatë dy dekadave të tranzicionit, ky komunitet është tunduar shpesh nga ofertat për nënshtetësi ballkanase.

Në vitet ‘90 erdhën serbët që, përmes përpjekjesh të fshehura u munduan ta përgatisin Gorën si minoritet të tyren në Shqipëri. Më pas, edhe maqedonasit synuan një gjë të ngjashme, duke u premtuar edhe pasaporta goranëve.

Të tretët ishin bullgarët, të cilët ndryshe nga dy pretendentët e parë ia dolën të shkaktonin valën më të madhe të emigrimit dhe zbrazjen e zonës nga banorët e saj.

Në fillim të vitit 2015, fshatrat e Shishtavecit dhe Zapodit u vendosën në fokusin e medias për të ilustruar fluksin e lartë të largimeve nga Shqipëria dhe kërkesave për azil në vendet e BE-së.

Në të vërtetë, banorët e këtyre fshatrave përdorën pasaportat e reja bullgare për të nisur një jetë të re në Perëndim, shumë herë më të favorizuar se mijëra shqiptarë që përfunduan në kampet e azilkërkuesve

Konsullata bullgare dhe shoqata “Prosperitet Golloborda” luajnë rolin e dy enëve komunikuese për kandidatët që aspirojnë nënshtetësinë e një vendi të Bashkimit Europian.

Banorë të Gorës thonë se aplikimet për pasaportë bullgare morën popullaritet të lartë që në vitin 2012, por procedurat u quajtën të pavlefshme dhe të interesuarit u këshilluan të përsërisnin dokumentet.

Me ardhjen e qeverisë së re të Bojko Borisovit, shanset janë shtuar se tepërmi për të marrë një pasaportë bullgare, ndërsa afatet kohore janë zvogëluar ndjeshëm.

Kërkesat e Bullgarisë për njohjen e “pakicës etnike bullgare” në Shqipëri kanë shkaktuar jo pak komente në mesin e komuniteteve dygjuhëshe në Kukës.

Në dy dekadat e fundit, diplomatë të vendeve ballkanike dhe segmente të caktuara të politikës dhe akademive të shkencave të këtyre vendeve, duke përfituar nga rrethanat aspak të favorshme ekonomike të Shqipërisë kanë treguar oreks në rritje për të “zbuluar” pakica etnike, mundësisht komunitete me një numër sa më të madh banorësh.

Pretendimet bullgare mbi këtë komunitet, zënë fill në shekullin e XI, ndonëse nuk janë të bazuara në dokumente. Torbeshët-siç quhen ndryshe goranët e Kukësit konsiderohen si mbetjet e fundit të lëvizjes bogomile, të zhvendosur pas përndjekjeve që katolikët bullgarë i bënë popullsisë ortodokse.

Përtej diskutimeve kontroverse mbi etninë, banorët e kësaj zone kanë zgjedhur të jenë pragmatistë përballë mundësisë së artë të paisjes me nënshtetësi bullgare, si një mënyrë për t’i shpëtuar varfërisë dhe mungesës së perspektivës në njërën prej zonave më të varfra të vendit.

Pasaportat e reja u mundësojnë atyre qëndrimin në vende të ndryshme të Bashkimit Europian dhe në Angli.