Grabar-Kitaroviq: Shkëmbimi i territoreve do të hapte kutinë e Pandorës

24.09.2019 14:56:53

Presidentja e Kroacisë, Kolina Grabar-Kitaroviq, gjatë një bisede me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, thotë se kanë folur për situatën në Bosnjë e Hercegovinë dhe raportet mes Beogradit dhe Prishtinës, duke theksuar se shkëmbimi i territoreve do të ishte një ide shumë e keqe, me të cilën do të hapej kutia e Pandorës në rajonin e ish-Jugosllavisë.

Në komunikatën e lëshuar në ueb-faqen e presidentes kroate, thuhet se biseda me Guterresin ka pasur për qëllim të shpalosen qëndrimet për gjendjen në Evropën juglindore.

E sipas kësaj komunikate temat kryesore kanë qenë zhvillimi i situatës në juglindje të Evropës, në veçanti në Bosnje e Hercegovinë dhe raportet mes Beogradit e Prishtinës.

“Kam përmendur shkëmbimin e territoreve, duke theksuar qartë se do të ishte një ide e keqe që do të hapte kutinë e Pandorës”, ka deklaruar presidentja kroate.