Grabitja e postës në Durrës, PD: E rëndë! Krimi i merr shtetit materiale sekrete

08.05.2018 20:58:15

Grabitja e ndodhur paraditen e sotme në Durrës, ku korrierit të Prokurorisë iu morën nga dora nëpërmjet presionit dhe dhunës materiale të organit të akuzës, ka sjellë një reagim të ashpër nga Partia Demokratike.

Duke e cilësuar qesharak reagimin e Prokurorisë Durrës që mohoi rënien në dorë të grabitësve të materialeve, që klasifikohen si Sekret Shtetëror, deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj tha se “dokumentet janë grabitur sepse kanë rëndësi për ata që kanë urdhëruar aktin”

Për PD-në, ngjarja e sotme është prova që vërteton se “drejtësinë e  kontrollon krimi i organizuar”. Sipas tyre këtë e provon edhe nxitimi i Prokurorisë së Durrësit për të mohuar rëndësinë e materialeve.

“Nuk ka ndodhur kurrë më parë, që të grabiten dokumentet sekrete as natën e as ditën. Grabitja e materialeve sekrete është dëshmi e rënies së shtetit përballë krimit. Dëshmi se krimi dhe shteti janë bërë njësh. Krimi i organizuar di jo vetëm përmbajtjen e dokumenteve sekrete, por edhe vendin dhe orën kur ato do të tërhiqen nga korrieri. PD i bën thirrje Prokurores së Përgjithshme dhe Policisë së Shtetit të sqarojnë publikun, se çfarë përmbante posta sekrete. A ka lidhje posta sekrete e grabitur me hetimet për kryetarin e bashkisë Durrës, Vangjush Dako? A ka lidhje me trafikun e drogës nga Durrësi?”, u shpreh Alibeaj në daljen për mediat