Granit Xhaka nuk shënon, Zvicra del pa pikë në përballjen me Danimarkën

13.10.2019 00:50:50

Ekipi kombëtar i Danimarkës ka arritur t’i marrë tri pikët nga ndeshja kundër Zvicrës, pas fitores 1:0 me golin e shënuar nga Yussuf Poulson afër fundit të ndeshjes. Kjo fitore i rrit gjasat e Danimarkës për ta siguruar një vend në EURO 2020.

Edhe pse Zvicra e dominoi ndeshjen me posedim të topit dhe goditje brenda kuadratit të portës, Danimarka arriti ta gjejë rrjetën e portës, gjë të cilën Zvicra s’e bëri përkundër rasteve të mira.

Granit Xhaka i shkoi shumë pranë golit për helvetikët në pjesën e parë të ndeshjes, duke goditur nga jashtë zonës së portierit, mirëpo Kasper Schmeichel iu përgjigj asaj supergoditjeje me një superpritje për t’ia mohuar golin mesfushorit të Arsenalit.

E njëjta gjë ndodhi edhe disa herë të tjera gjatë ndeshjes, pasi që Shmeichel arriti t’i regjistrojë pesë pritje të mira gjatë ndeshjes.

Raste për të shënuar gol pati edhe Danimarka, të cilët e shfrytëzuan njërin prej tyre në minutën e 84-të të ndeshjes, kur Christian Eriksen e asistoi golin e shënuar nga Poulsen.

Pas kësaj fitoreje në stadiumin “Telia Parken”, Danimarka e kryeson Grupin D, me 12 pikë të fituara nga gjashtë ndeshjet e para, po aq sa Irlanda, ndërsa Zvicra radhitet e treta, me tetë pikë nga pesë ndeshjet e para.

Të martën, Zvicra do ta zhvillojë ndeshjen tjetër në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020, kundër Irlandës, ndërsa Danimarka do ta zhvillojë po atë natë një miqësore me Luksemburgun