Gratë e Krushës vazhdojnë të punojnë në kushte të rënda

01.05.2017 08:34:04
Edhe përkundër dhimbjes që kaluan, gratë e Krushës arritën të bëhen shembull për të gjitha gratë në Kosovë, por dhe më gjerë.

Këto gra dëshmuan se si mund të arrihet suksesi përmes punës së palodhshme që  tash e 18 vjet ato kanë bërë për të siguruar mirëqenie për fëmijët e tyre, por edhe për të siguruar “bukë” për të gjithë konsumatorët kosovarë.

Përpos sukseseve që ato kanë arritur duke siguruar produkte të një cilësie të lartë për konsumatorin kosovar, ato kanë edhe sfida të cilat i kanë përcjellur gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre.

Fahrije Hoti nga kooperativa bujqësore “Krusha” ka thënë për Ekonomia Online se ajo çka po e stagnon punën e tyre është mungesa e infrastrukturës në ambientet ku ato punojnë.

“Sa i përket barrierave që kooperativa ballafaqohet janë kushtet e rënda të infrastrukturës që do të thotë ambienti në të cilin ne punojmë nuk i plotëson kushtet për punë. Energjia elektrike , uji dhe janë disa gjëra të tjera të cilat stagnojnë kapacitetin dhe prodhimin tonë”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se ndihma që ato marrin nga donatorët dhe ministritë është e pamjaftueshme që ato të zgjerojnë veprimtarinë e tyre.

“Fatbardhësisht ne kemi mirëkuptim nga ministritë dhe donatorët por nuk është e mjaftueshme ndihma që ata na japin për t’i plotësuar nevojat që këto gra kanë për të zgjeruar biznesin e tyre por kanë edhe ide për të hapur edhe biznese të tjera”, theksoi Hoti.

Ajo ka thënë se zëri i grave në Kosovë dëgjohet fare pak edhe pse ato mundohen është dikush që i obligon ato të heshtin.

“Ne po mundohemi të ngrisim zërin por dikush po del po na thotë heshtni dhe kjo është ajo arsyeja. Por pavarësisht nuk po them për vete sepse unë jam status tjetër, por ka gra të tjera që për interesa të bashkëshortit ose të djali të vet nuk guxon me e ngrit zërin dhe hesht,këto janë problemet që i kemi në Kosovë ka thënë ajo.

Fahrija thotë se jeton në mesin e shumë grave të tjera që kanë humbur burrat gjatë luftës, dhe përkundër dhimbjeve për humbjen e tyre ato për 15 vite me radhë janë ballafaquar edhe me paragjykime të cilat kanë penguar zhvillimin normal të jetës së tyre.

Ndërsa porositi të gjitha gratë e Kosovës që të mos rreshtin së kërkuari të drejtën e tyre.

“Mesazhin që unë e kisha dhënë për të gjitha gratë në Kosovë është që mos të frikësohen prej vetvetes   por le të qëndrojnë vetvetja dhe mos të frikësohen nga të tjerët. Tani që jemi 18 vite pas luftës gratë e kanë shumë më të lehtë të forcojnë rolin e tyre në shoqëri dhe porositi ato që të mos i fiksohen jetës por të jenë më të qëndrueshme karshi asaj që ato dëshirojnë të arrijnë”, porositi ajo.

Sa i përket zhvillimit të politikave për forcimin e rolit apo përfshirjes së gruas në shoqëri ajo thotë se ka vend dhe mund të bëhet më shumë në këtë aspekt.

Ajo beson se nëse femrat do të merreshin sa më shumë me politikë, do të rriste shpresat për një të ardhme më të mirë.

Krejt në fund Hoti ka falënderuar të gjithë konsumatorët kosovarë për respektin e bërë grave të Krushës duke konsumuar produktet që ato prodhojnë, mirëpo si sfidë ajo ende e sheh ngritjen e vetëdijes së qytetarëve karrshi konsumimit të produkteve vendore.