Grenell publikon fotografi nga takimi i fundit me Thaçin dhe Vuçiqin

06.03.2020 18:14:28

I Dërguari i Posaçëm i Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell ka publikuar fotografi nga takimi i tij me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Takimet në Shtëpinë e Bardhë me presidentët e Serbisë dhe Kosovës”, ka shkruar Grenell ngjitur me fotografinë.


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në anën tjetër ka raportuar në një konferencë për media për takimet që i ka zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Thaçi, ka potencuar në mënyrë strikte se zgjidhja përfundimtare e dialogut Kosovë – Serbi nuk mund të bëhet pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq pas këtyre takimeve ka deklaruar se e ardhmja e Serbisë nuk është e sigurt pa SHBA-të.

Ky publikim i fotografisë vjen pas përplasjes që ka pasur vazhdimisht tash e disa ditë Grenell me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti i cili nuk po i përfill kërkesat e SHBA-ve për heqje të taksës.

Mbrëmë, Grenell nëpërmjet një postimi në Twitter ka deklaruar se SHBA-të nuk do të merren fare me lidershipin kosovar derisa këta të fundit vazhdojnë të veprojnë në dëm të qytetarëve të vet – ku ka aluduar në taksën 100 për qind.