Greqi, shkatërrohet rrjeti i drogës, 9 shqiptarë në pranga

20.12.2016 16:11:05

Policia greke njoftoi këtë të martë arrestimin e dhjetë personave të dyshuar si të përfshire në një rrjet të gjerë të narkotrafikut.

Gjatë operacioneve blic të organizuara në disa pjesë të Athinës dhe në Janinë, autoritetet greke sekuestruan 173 kg kanabis të papërpunuar dhe gati 300 gramë kokainë ende të patretur për shitje.

Vetëm njëri prej të prangosurve është shtetas grek, ndërsa 9 të tjerët, të moshave nga 26 deri në 45 vjeç, janë të gjithë shqiptarë.

Gjatë aksioneve janë kapur edhe 77.000 euro kesh e janë konfiskuar gjithashtu katër peshore precizioni,  43 telefona celularë e pesë makina, një nga të cilat taksi që përdorej për të transportuar lëndën narkotike.

Operacioni u urdhërua pasi policia arrestoi 2 shtetas shqiptarë në muajin nëntor, njëri nga të cilët, një 41-vjeçar, besohet të ishte dhe lideri i bandës që mund të jetë e lidhur me 100 raste trafikimi të drogës, të cilat janë ende nën hetim.