Greqia do rolin e liderit në rajon, sikurse Serbia e Turqia, po shqiptarët?

28.01.2018 15:11:51

Nga Rexhep Kastrati

“Jemi gati për një marrëveshje strategjike me Shqipërinë. Një marrëveshje që do të zgjidhë dallimet kritike dhe do të çojë në votën tonë për hapjen e e negociatave të pranimit të vendit tonë fqinj në BE”, kështu del të ketë deklaruar kryeministri i Greqisë, Alexis Tzipras pas takimit me kryeministrin e shtetit shqiptar, Edi Rama.

Këtë, Tzipras, e ka thënë në një adresim popullit grek, gjatë të cilit është shprehur me një dozë të theksuar triumfaliste dhe optimiste për rolin e shtetit grek si shtet lider në rajon.

Është për të theksuar se në këtë adresim, bie në sy fakti se sipas Tzipras, me Edi Ramën janë gati për firmosjen e një marrëveshje strategjike për zgjidhjen e dallimeve kritike, pas të cilave Greqia do të japë pëlqimin për fillimin e negociatave për anëtarësimin e shtetit shqiptar në BE.

Të kujtojmë se vite më parë, shteti shqiptar, përkatësisht Edi Rama kishte nënshkruar një marrëveshje strategjike me Turqinë, e cila rezultoi me rritjen e ndikimit turk në Tiranë, përkatësisht rritje të rolit të Turqisë në Ballkan.

Është për të theksuar se pikërisht edhe Greqia po e kërkon të njëjtin rol: të liderit në rajon, e që do të thotë edhe rritje e ndikimit të saj në proceset rajonale dhe më gjerë.

Në kontesktin historik, duhet të kemi parasysh se në Konferencën e Versajës (1919 -1921), çështja shqiptare nuk kishte hyrë si çështje më vete, por si pjesë e çështjes greke, dhe në atë Konferencë, pos delegacionit të Kuvendit të Durrësit, e që ishte delegacioni zyrtar i shqiptarëve, e që fillimisht kryesohej nga Turhan Pashë Përmeti,e më pastaj nga dom Luigj Bumçi, ishte edhe një delegacion i të ashtuquajturës Republikë e Gjirokastrës, i kryesuar nga Carapanos, si dhe një delegacion i kryesuar nga Esat Pashë Toptani.

Duhet theksuar se pos Greqisë, rolin e liderit rajonal, është duke e kërkuar edhe Serbia dhe Turqia, të cilëve në masë të madhe ky rol u është njohur, pasi që Serbia po shihet gjithnjë e më shumë si partner shumë serioz i Perëndimit dhe me gjasa të mëdha që shumë shpejt të afrohet me BE-në.

Turqia, në anën tjetër, edhe si anëtare e NATO-s, edhe për shkak të lidhjeve të hershme edhe në bazë të një aleance ortodokse-islame, dhe të një historie të gjatë bashkëpunimi dhe vazaliteti që Serbia ka pasur ndaj Perandorisë Osmane, ka shumë ndikim në rajonin tonë dhe në një farë mënyre janë rikthyer ato aleanca të hershme, sidomos në marrëdhënet me Serbinë, dhe po bëhet gjithnjë e më shumë faktor që mund të ketë ndikim negativ në pozitën e shqiptarëve në rajon dhe mëgjerë.

Roli i liderit rajonal që po e kërkon Greqia, sigurisht se nuk i duhet për t’u krekosur si gjeldeti, siç krekosej Edi Rama kur Aleksadnër Vuçiq dhe mediet serbe ia gudulisnin egon e tij të sëmurë, por pikërisht për ato që Tzipras i quan “dallime kritike”, pra për çështje të tilla si çështja çame, ujrat detare, varrezat greke në shtetin shqiptar, trajtimi i pakicës greke etj.

Greqia po lufton që të rikthejë rolin që ka pasur gjatë luftave ballkanike dhe në vazhdim, kur i ishin dhënë territore shqiptare, përfshirë edhe Çamërinë. Është për të theksuar se shteti grek kishtemohuar ekzistencën e çështjes greke, kishte mohuar gjenocidin ndaj çamëve, kishte mohuar të drejtën e çamëve për të përdorur gjuhën shqipe, për t’u rikthyer në pronat e tyre dhe për të pasur ato të drejta që u takojnë me konventa ndërkombëtare. Në anën tjetër, vazhdimisht kishte folur për të ashtuquajturin vorioepir me pretendime aneksionsite të juglindjes së shtetit shqiptar.

Ndonëse nuk janë dhënë detaje lidhur me marrëveshjen për partneritet strategjik për të cilën janë marrë vesh Rama dhe Tzipras, megjithatë triumfalizmi dhe optimizmi i madh i kryeministrit grek për rolin e liderit në rajon, sikur lënë të dyshosh se Edi Rama mund të ketë pranuar që t’i shesë këto çështje për hir të pushtetit të tij, për hir të hapjes së negociatave me Brukselin. Dhe ajo që duhet theksuar, Tzipras, nuk ka thënë asgjë për mundësinë e heqjes së ligjit të luftës, por ka thënë se për këtë marrëveshje strategjike, në shtetin fqinj, pra në shtetin shqiptar, nuk ka dallim ndërmjet pozitës dhe opozitës.

Mbetet të shihet në të ardhmen e afërt se çka në të vërtetë është arritur në takimet e ministrave të jashtëm të dy shteteve, dhe çka nënkupton marrëveshja strategjike për të cilën, Tzipras u ka folur grekëve. por është tepër shqetësues fakti se tashmë është rritur tepër shumë roli i Serbisë, i Turqisë dhe i Greqisë në rajonin tonë, e që mund të jetë rrezik për fuqizim të aleancave kundërshqiptare.