Greva brenda Zyrës së Kryeministrit, Hoti: Do të formojnë komision të pavarur për shqyrtimin e kërkesave të punëtorëve 3 min

15.01.2021 12:32:26

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti në konferencën e mbajtur sot ka folur edhe për grevën brenda Zyrës së Kryeministrit.

Hoti ka thënë se draftimi i Rregullores për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në zyrën që ai drejton, ka ndodhur si rezultat i Ligjit për Administratën Shtetërore që ka hyrë në fuqi vitin e kaluar.

“Ligji për Administratën Shtetërore që ka hyrë në fuqi në verë të vitit të kaluar, na ka obliguar edhe neve që të përgatisim Rregulloren për Organizim të Brendshëm të Zyrës së Kryeministrit në këtë rast dhe ministrive përkatëse. Ka ndodh një rikonstruim i Qeverisë me vendim të Kuvendit, ku janë shkrirë disa ministri dhe bashkimi i disa ministrive në një ministri të vetme dhe në bazë të ligjit jemi të obliguar të bëjmë riorganizimin e Administratës Shtetërore”, ka thënë Hoti

Ai ka shtuar se në përputhje me ligjin zyra e tij ka përgatit një rregullore për zyrën e kryeministrit, që ka kaluar në të gjitha procedurat e nevojshme ligjore, ka marrë miratimin e MPB dhe MF, dhe në fund ai ka nënshkruar.

Hoti shoti se do të formojnë një komision të pavarur për të analizuar kërkesat e zyrtarëve të cilët kanë hyrë në grevë.

“Janë disa zyrtarë që janë të pakënaqur me këtë rregullore. Unë ju kam mundësuar atyre që të bëjmë një komision të pavarur që do të analizojë kërkesat e tyre, dhe pastaj nëse ky komision rekomandon kërkesat e tyre atëherë mund të shkojmë në plotësim ndryshim të kësaj rregullore”, tha Hoti.