Griezmann dhe Oblak i ngrinë buzëqeshjen Arsenalit, Marseille me një këmbë në finale

26.04.2018 23:19:31

Olympique Marseille dhe Atletico Madrid hedhin një hap të madh drejt finales së madhe të Lyonit në Europa League. OM fitoi pastër 2-0 në shtëpi ndaj Salzburgut ndërsa Los Colchoneros edhe pse luajtën për 80 minuta me një lojtar më pak rezistuan fort dhe në fund realizuan një gol me peshë në Emirates Stadium duke barazuar 1-1 me Arsenalin në gjysmëfinalen e parë.

I pafat Arsenali që krijoi shumë volum loje por gaboi përpara portës, jo vetëm për faj të lojtarëve të tij por edhe për meritë të portierit slloven Jan Oblak që bëri disa pritje shpëtimtare duke mbajtur në lojë miqtë. Nisi në malore sfida për Atleticon e Madridit që mbeti me një lojtar më pak pas vetëm 10 minutash me gjyqtarin francez Turpin që i nxorri dy kartona të verdhë shumë shpejtë kroatit Vrsalkjo duke e larguar nga fusha. Protestat ishin të mëdha në kampin e skuadrës spanjolle aq sa edhe trajneri Diego Simeone u përjashtua nga fusha duke e ndjekur pjesën e mbetur të ndeshjes nga tribuna. Arsenali kishte menjëherë një shans të artë me Lacazzette por francezi nuk goditi mirë me topin që preku cepin e shtyllës pas krosimit perfekt të Welbeck. Pjesa e parë foli e gjitha për Arsenalin por një shans të mirë e kishte edhe Atletico me Saul.

Atë që se bëri dot në pjesën e parë francezi Lacazette e realizoi në minutën e 61-të kur shfrytëzoi krosimin e Wilshere dhe më në fund theu rezistencën e Oblak. Skuadra e Wenger pati të tjera shanse për shënim por nuk mundi të gjente më rrugën e rrjetës teksa në minutën e 82-të u shokua nga Griezmann që përfitoi nga një seri gabimesh e futbollistëve vendas për të shënuar golin e barazimit. Vetëm pak çaste pas golit Oblak bëri një tjetër ndrërhyrje fantastike duke i hequr mundësinë për të shënuar mesfushorit Ramsey. Me këtë rezultat Atletico e Madridit shkon dukshëm e favorizuar në ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet në Ëanda Metropolitano. Një fitore të madhe arriti Marseille që në Velodrome mposhti 2-0 surprizën e këtij edicioni në Europa League, austriakët e Salzburgut duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt finales së Lyonit. Golat për skuadrën e Rudi Garcias u realizuan nga Thauvin në pjesën e parë dhe N’jie në fraksionin e dytë. 20 minuta përpara fundit fati nuk ishte me Salzburgun pasi tentativa e norvegjezit Guldbransen u ndal nga shtylla. Luajti gjatë gjithë 90 minutëshit te miqtë mesfushori i përfaqësueses së Kosovës Valon Berisha.