Gripi, Beqaj: Vijon vaksinimi, në gatishmëri për përballimin e situatës

08.01.2017 21:25:49

Shërbimi i kujdesit parësor, në të gjitha qytetet kryesore të vendit është në shërbim të pacientëve edhe gjatë fundjavës për t’i përgjigjur situatës epidemike të gripit. Qendrat Shëndetësore, si dhe i gjithë personeli, janë në gatishmëri të plotë ndërsa prej tre ditësh ka nisur në të gjitha qendrat procesi i vaksinimit me vaksinën kundër gripit.

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ishte sot në disa prej qendrave shëndetësore në Tiranë, Elbasan dhe Durrës, ku u njoh nga afër me situatën.

“Ne vazhdojmë të përgjigjemi situatës epidemike të gripit por edhe situatës të një dimri goxha të ftohtë në të gjithë vendin. Sot është e diel megjithatë i gjithë Kujdesi Shëndetësor Parësor në qytetet kryesore të vendit është në shërbim të vizitave për të qenë më pranë qytetarëve por dhe për të ulur sado pak ngarkesën shumë të madhe që ka në spitalet tona. Prej disa ditësh kemi filluar edhe me shpërndarjen e vaksinës së gripit”, u shpreh ndër të tjerash ministri Beqaj.

Në një prej qendrave shëndetësore të Elbasanit, vetëm gjatë dy ditëve të fundit janë realizuar më shumë se 50 vaksina antigrip.

Kreu i Shëndetësisë solli edhe një herë në vëmendje, se në të gjitha Qendrat Shëndetësisë të cilat bllokohen prej motit të ftohtë është bërë e mundur, që në javën e parë të dhjetorit, furnizimi me barna dhe pajisje mjekësore.

“Që në javën e parë të dhjetorit, përfshirë dhe këtu në Elbasan, Ministria e Shëndetësisë ka furnizuar me barna dhe materiale mjekësore për 3 muaj, 90-95 Qendra Shëndetësore, të cilat bllokohen zakonisht gjatë stinës së dimrit, ashtu siç ne kemi filluar mbrojtjen e personelit shëndetësor që në javën e fundit të tetorit me vaksinën e gripit”, theksoi Beqaj.

Ndërkohë, në Durrës, janë më shumë se 500 qytetarë të cilët kanë bërë vaksinën e gripit vetëm në dy ditët e fundit.

“Janë mbi 500 vaksina të aplikuara që nga dita e pardjeshme që ka filluar aplikimi në Durrës, qoftë në Qendrat Shëndetësore që janë në fshatra, qoftë edhe në Qendrat Shëndetësore të qytetit të Durrësit. Do të vijojmë të garantojmë funksionimin e këtij shërbimi gjatë gjithë muajit janar dhe unë dua të ftoj qytetarët që, që me shenjat e para t’i drejtohen Qendrave Shëndetësore dhe dua të shfrytëzoj këtë mundësi që të falënderoj, jo vetëm, personelin shëndetësor këtu në Durrës po në gjithë Shqipërinë, në Kujdesin Parësor, në kujdesin Spitalor, shërbimin e Urgjencës, atë të autoambulancave dhe të urgjencës ajrore me helikopter për gatishmërinë që kanë treguar në këto ditë me ngarkesë për sistemin tonë shëndetësor por që për fat të mirë deri tani ja kemi dalë, në vlerësimin tonë, mjaftueshëm mirë”, u shpreh ministri i Shëndetësisë.