Gruaja lidh veten në banesë më pas njofton policinë se e kanë grabitur

23.10.2016 09:44:35

Rreth orës 04:40, në numrin e emergjencave 112, ka mbërritur një njoftim se në  fshatin Pinet, Ndroq, në banesën e shtetasit I. Azuni  dyshohet se ka hyrë një person për të vjedhur, i cili duke përfituar se i zoti i banesës ishte larguar ka lidhur të shoqen shtetasen Dalina Azuni dhe më pas ka marrë në banesë shumën prej 65.000 lekësh . Menjëherë në adresën e dhënë janë dërguar shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 6, të cilët kanë filluar kontrollin e territorit dhe mbledhjen e informacioneve për autorët e mundshëm të kësaj ngjarje. Nga informacionet e marra  është mësuar se bashkëshortët Azuni, prej disa kohësh nuk kishin një marrëdhënie të mirë me njëri-tjetrin.

Duke qenë përpara këtyre fakteve Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr 6, kanë filluar hetimin në drejtim të një kallëzimi të rremë dhe nga ku kanë arritur të faktojnë se pas largimit të bashkëshortit të saj, shtetasja Dalina Azuni, dyshohet ti ketë fshehur në  një nga dhomat e tjera  shumën e lekëve (të  cilat u gjetën nga kontrolli i ushtruar nga Specialistet e Policisë pas dyshimeve), më pas ka hapur dritaren e banesës dhe dyshohet se  ka lajmëruar familjarët që dikush kishte hyrë në banesë.

Kur kanë shkuar familjarët e kanë konstatuar të lidhur në banesë  këtë shtetase. Nga intervistimi paraprak , shtetasja Dalina Azuni, pranon se  i ka bërë këto veprime vetëm për të tërhequr vëmendjen e të shoqit pasi kishte vënë re që kohët e fundit nuk kishin komunikim  dhe kishte mosmarrëveshje mes tyre.

Duke qenë përpara këtyre fakteve Specialistët e Komisariatit të Policisë nr 6, kanë bërë arrestimin e shtetases Dalina Azuni, 29 vjeçe, banuese në Tiranë. Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë Tiranë, për veprat penale “Kallëzim i rremë” dhe “Njoftim i rremë në organet e rendit publik”.