Grusht shteti” Sampaolit, Messi me shokë duan “vetë-menaxhim” ndaj Nigerisë

24.06.2018 12:54:30

Ëndrra të bëra pluhur dhe hi.

Është mëse e vërtetë. Lionel Messi rrezikon seriozisht të humb shansin e fundit në karrierë për të fituar botërorin dhe duket se nga kaosi që ka përpirë Argjentinën, askush nuk do të dalë i pastër.

Kombëtarja Albiceleste rrezikon eliminimin e bujshëm në Kupën e Botës dhe “i pandehuri” kryesor është trajneri Jorge Sampaoli, gjithnjë e më shumë i vetmuar dhe i vënë me shpatulla pas murit nga lojtarët e tij.

Mediat ndërkombëtare shkruajnë se Messi me shokë i kanë dhënë jetë një “grushti shteti” brenda grupit, duke kërkuar largimin e menjëhershëm të Sampaolit, për të qenë në gjendje të luajnë një ndeshje të vërtetë me Nigerinë, në sfidën ku mund të pritet bileta e fundit për të dalë në vendin e dytë në Grupin D.

Lojtarët e Argjeninës duket se kanë kërkuar “vetë-menaxhimin”, por kërkesa është refuzuar nga Claudio Tapia, president i Federatës Argjentinase të Futbollit.

Por kush ka bërë lëvizjet më intensive për të marrë kokën e Sampaolit?

Sipas raporteve të TGCOM grupi historik, i udhëhequr nga Leo Messi dhe Javier Mascherano, pra kapiteni dhe zëvendës-kapiteni, duan të përzënë me çdo kusht trajnerin, duke u përpjekur të vendosin një sërë kushtesh përpara ndeshjes historike me Nigerinë.

La Pulce dhe Jefecito kanë pretendime të ndryshme dhe të rëndësishme). Në mënyrë të veçantë, përjashtimi i portierit Willy Caballero, rivendosja e linjës mbrojtëse me katër dhe kthimi në fushë i Lucas Biglia dhe Angel Di Maria, të lënë mënjanë pas ndeshjes hapëse.

Tashmë na mbetet të shohim se kush do të zbresë në fushë, të martën më 26 qershor, në përpjekjen për të mundur Nigerinë.